Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini ka folur rreth mundësisë së arritjes së një marrëveshje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Duke diskutuar këtë çështje, Gjini tha se Qeveria Kurti duhet ta shfrytëzojë 50 për qindëshin e votave, pasi që sipas tij, nëse vendi do të shkonte në zgjedhje këto rrethana nuk do të përsëriteshin.
Ai tha se për të arritur këtë marrëveshje, Qeveria e Kosovës duhet të shfrytëzojë çdo potencial që ka madje të provojë të ketë edhe opozitën në mbështetje.
“Qeveria duhet t’i shfrytëzojë të gjitha potencialet që i ka, të provojë ta ketë edhe opozitën në mbështetje, çkado që ka, çdo potencial që ka duhet ta shfrytëzojë që të arrijë një marrëveshje. E kemi një Qeveri që i ka mbi 50 për qind të votave dhe duhet ta shfrytëzojë këtë rrethanë… nëse do të shkonim në zgjedhje mund të themi se këto rrethana nuk përsëriten, gjasat janë reale që nuk përsëriten”, tha Gjini.
Tutje, Kryetari i Komunës së Gjakovës, tha se marrëveshja duhet të arrihet dhe Kosovës t’i hiqet kjo formë e barrës.
Sipas Gjinit nëse Kosova shkon në zgjedhje mund të vijë një Qeveri më e zonja se Qeveria Kurti, mirëpo thotë se nuk ka kohë të humbë nëse vendi shkon në zgjedhje.
“Mund të ndodhë që të vijë një Qeveri e cila është më e zonja se Kurti. Madje unë besoj se do të jetë më e zonja se Qeveria Kurti, por humbim shumë kohë nëse shkojmë në zgjedhje, por edhe në rrethanat e brendshme mund të ndërrohen e nuk e dimë se çfarë ndodh”, shtoi Gjini në Tëvë1.