Sot Policia e Kosovës ka kontrolluar një depo ushqimore që gjendet në rrugën “Beqir Musliu” në Gjilan, për shkak të dyshimeve se pronari i saj posedonte dhe shpërndante artikuj ushqimor me afat të skaduar nëpër qendra tregtare, raporton Gazeta Sinjali Gazeta Sinjali.
“Gjatë kontrollit, janë gjetur një sasi e konsiderueshme e artikujve të dyshuar ushqimor që kanë qenë me afat të skaduar, të cilët artikuj janë konstatuara me procesverbalin mbi inspektimin nga Drejtoria e Inspeksionit në Gjilan (Inspektorët e tregut), artikujt janë konfiskuar për asgjësim”, thuhet në komunikatën e PK-së.
Pas intervistimit nga prokurori i shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë në Qendrën e Ndalimit në Gjilan.
Njoftimi i plotë nga Policia e Kosovës:
KOMUNIKATË PËR MEDIA
“Prodhim dhe vënje në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimor, Neni 261 të KPRK”
Me 29 Tetor 2020, Njësia Kundër Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion që vepron në Gjilan, përmes rrugëve operative ka pranuar një Informatë se një depo ushqimore që gjendet në rrugën “Beqir Musliu” këtu në Gjilan, i dyshimti pronari i saj posedon dhe shpërndan artikuj ushqimor nëpër qendra tregtare dhe në shitoret me pakicë në qytetin e Gjilanit dhe më gjerë.
Dyshimi ishte bazuar në faktin se produktet ushqimore që shpërndaheshin nga i dyshuari, dyshohej se ishin me afat të skaduar dhe se i njëjti ka ndërhyrë në afatin e skadimit të artikujve të ndryshëm.
Policia e Kosovës njësiti Kundër Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion me leje të prokurorit kanë bërë një kontroll të detajuar në këtë depo.
Gjatë kontrollit, janë gjetur një sasi e konsiderueshme e artikujve të dyshuar ushqimor që kanë qenë me afat të skaduar, të cilët artikuj janë konstatuara me procesverbalin mbi inspektimin nga Drejtoria e Inspeksionit në Gjilan (Inspektorët e tregut), artikujt janë konfiskuar për asgjësim.
Gjatë kontrollit kanë prezantuar edhe inspektorët e ATK-së, të cilët kanë bërë identifikimin e dokumenteve relevante.
Në lidhje me veprimet e ndërmarra është njoftuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që i dyshuari të intervistohet në cilësinë e të dyshuarit me prezencë të avokatit mbrojtës.
Pas intervistimit dhe fakteve të prezantuara, prokurori i shtetit ka nxjerr Aktvendim për ndalimin e të dyshuarit në afat për 48 orë në Qendrën e Ndalimit në Gjilan.
Policia e Kosovës njësitet hetuese janë në fazën e grumbullimit të dëshmive shtesë që lidhen me rastin në fjalë.