Gjermania ka arritur një fitore spektakolare ndaj Bregut të Fildishtë me rezultat 2-1, në ndeshjen e Grupit E të Kupës së Botës 2026, duke e vendosur fatin e sfidës në minutat e fundit.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë dhe raste në të dyja portat. Gjermania u afrua e para te goli me Kai Havertz, por goditja e tij me kokë u ndal nga portieri Yahia Fofana. Më pas, në minutën e 21-të, Aleksandar Pavlovic mendoi se kishte kaluar “Die Mannschaft” në epërsi, por goli u anulua për faull në ndërtimin e aksionit.
Bregu i Fildishtë përfitoi nga një kundërsulm i shpejtë dhe kaloi në avantazh në minutën e 30-të. Franck Kessié reagoi më së miri brenda zonës dhe e dërgoi topin në rrjetë për 0-1.
Në pjesën e dytë, Gjermania rriti presionin dhe intensitetin e lojës, me ndryshimet taktike që sollën më shumë dominim në mesfushë. Barazimi erdhi në minutën e 68-të, kur Nadiem Amiri asistoi saktë në zonë dhe Deniz Undav finalizoi për 1-1.
Kur ndeshja po i afrohej fundit, Gjermania shtoi edhe më shumë presionin, duke kërkuar golin e fitores. Në minutën e 90+1, Amiri humbi një rast të artë nga afërsia, por drama nuk kishte përfunduar ende.
Në minutën e 94-të, Deniz Undav u gjend sërish në vendin e duhur dhe shënoi golin vendimtar për 2-1, duke kompletuar përmbysjen e madhe dhe duke i siguruar Gjermanisë tri pikë të rëndësishme.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!