Julian Nagelsmann nuk do të jetë më trajner i kombëtares së Gjermanisë, raportojnë mediat gjermane, ndërsa emri i Jurgen Klopp po përmendet si favoriti kryesor për ta zëvendësuar atë.
Largimi i Nagelsmann vjen pas dështimit të Gjermanisë në Kupën e Botës, ku “Panzerët” u eliminuan në mënyrë surprizuese nga Paraguai pas ekzekutimit të penalltive.
Edhe pse fillimisht pritej që 38-vjeçari të qëndronte në detyrë deri pas Euro 2028, humbja në Botëror duket se ndryshoi gjithçka. Sipas raportimeve, trajneri ua la në dorë drejtuesve të Federatës Gjermane të Futbollit vendimin për të ardhmen e tij.
“Jam në dispozicion. Nëse DFB dëshiron që unë të vazhdoj dhe ta udhëheq ekipin në Euro 2028, do ta bëj. Nëse jo, atëherë duhet të ma bëjnë të ditur. Nuk jam njeri që largohem vetë”, deklaroi Nagelsmann.
Ai nuk e fshehu zhgënjimin pas eliminimit, duke pranuar se Gjermania nuk tregoi nivelin e një skuadre elitare.
“Nëse eliminohesh nga Paraguai, atëherë nuk mund të konsiderohesh një nga ekipet më të mira në botë. Jam jashtëzakonisht i zhgënjyer”, u shpreh ai, përcjell Sinjali.
Sipas “Mirror”, pas një takimi me drejtuesit e federatës, Nagelsmannit i ishte kërkuar të shqyrtonte mundësinë e dorëheqjes ose të përballej me shkarkimin. Një njoftim zyrtar për largimin e tij pritet të publikohet gjatë ditës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!