Ministri gjerman i Mbrojtjes prezantoi një koncept të ri që duhet të rrisë numrin e ushtarëve të Bundeswehr-it. Cilat janë të rejat e konceptit?
Që nga pezullimi i rekrutimit në vitin 2011, Bundeswehr-it i mungojnë ushtarë. Në vend që të punësonte më shumë personel, Bundeswehri filloi të zvoglohet. Në mars, statistikat regjistruan vetëm 181,123 rekrutë. Sipas planeve të ministrit të Mbrojtjes Boris Pistorius (Partia Socialdemokrate e Gjermanisë SPD), kjo tani duhet të ndryshojë. Premtimi i Gjermanisë për NATO-n: deri në vitin 2031, Bundeswehri duhet të numërojë 203.000 ushtarë, e më vonë ndoshta edhe 240.000.
Ministri i Mbrojtjes Pistorius ka thënë vazhdimisht, se Bundeswehri duhet të bëhet më në fund “gati për luftë”. Pistorius flet për një situatë të re kërcënuese. “Rusia po bën luftë,” u tha ai gazetarëve në Berlin të mërkurën (13.06.2024). Siç tha ai, Rusia do të jetë në gjendje të sulmojë një nga anëtarët e NATO-s në vitin 2029. Pistorius kaloi muaj për të përgatitur konceptin e tij për shërbimin e ri ushtarak që tani e prezantoi në Berlin. Megjithatë, nuk flitet më për shërbimin e detyrueshëm ushtarak: “Ne parashikojmë shërbimin selektiv ushtarak. Për shërbimin ushtarak duhet të zgjidhen më të përgatiturit, më të përshtatshëm dhe më të motivuarit”, shpjegon Pistorius.
Koncepti i Pistorius nuk përfshin rekrutimin e përgjithshëm ushtarak. Fillimisht, kërkesa e vetme është që 18-vjeçarët të plotësojnë një pyetësor. Ky është një detyrim për meshkujt, por jo edhe për gratë. Ata që kontaktohen duhet të shpjegojnë nëse në përgjithësi do të ishin të gatshëm të shërbenin në ushtri. Kjo do të zgjaste gjashtë muaj, me mundësi zgjatjeje deri në 23 muaj. Pistorius vlerëson se rreth 400.000 burra do të duhet të plotësojnë pyetësorin çdo vit. Ai shpreson që një e katërta e tyre mund të shfaqin interes. Është planifikuar që rreth 40.000 kandidatë të ftohen për provim, gjegjësisht kontroll të aftësive të tyre fizike dhe mendore. Pjesëmarrja në rast ftese është e detyrueshme. Sigurisht, e drejta për të refuzuar më pas shërbimin ushtarak ekziston ende.
Çështja e kapaciteteve të mjaftueshme për montim dhe trajnim të plotë mbetet e paqartë. “Faktori kufizues”, sipas Pistorius, është infrastruktura e kufizuar. Kjo do të thotë kazerma, instruktorë, pajisje. Vlerësohet se për të arritur objektivin e 5000 rekrutëve shtesë në vit, do të nevojiteshin rreth 1.4 miliardë euro. Pistorius gjithashtu llogarit në një rritje të numrit të të ashtuquajturve rezervistë, kryesisht ata që shërbyen para pezullimit të shërbimit ushtarak në 2011. Ai dëshiron të kontaktojë me ta dhe shpreson të rrisë numrin e rezervistëve me 200.000 njerëz.