Gjermania ka njoftuar arritjen e një marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara për blerjen e raketave lundruese Tomahawk, një hap që synon forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit dhe të krahut lindor të NATO-s.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, bëri të ditur se marrëveshja u finalizua gjatë takimeve me përfaqësues amerikanë në margjinat e samitit të NATO-s, duke e cilësuar atë si një zhvillim të rëndësishëm për sigurinë e Gjermanisë.
Sipas Merz, vendi po mbulon një boshllëk të rëndësishëm në mbrojtje, ndërsa paralelisht po investon edhe në zhvillimin e sistemeve evropiane të armatimit.
“Po mbyllim një boshllëk kritik strategjik në mbrojtjen tonë, ndërkohë që po punojmë për zhvillimin e sistemeve tona evropiane”, deklaroi kancelari gjerman.
Vendimi vjen pasi kishte pasiguri për të ardhmen e vendosjes së raketave me rreze të gjatë veprimi në Gjermani, pas njoftimeve të mëhershme të administratës amerikane për reduktimin e pranisë ushtarake në vend.
Autoritetet gjermane e konsiderojnë vendosjen e raketave Tomahawk si një element të rëndësishëm të strategjisë së parandalimit, në një kohë kur tensionet e sigurisë në Evropë vazhdojnë të mbeten të larta.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!