image Gjermania e 'përkushtuar' për ta vazhduar mbështetjen për Ukrainën

Botë

Gjermania e ‘përkushtuar’ për ta vazhduar mbështetjen për Ukrainën

news image

Gjermania do të vazhdojë ta furnizojë Ukrainën me ndihmat e nevojshme kundër pushtimit rus, me gjithë planet për ta përgjysmuar buxhetin për mbështetjen e Kievit më 2025, tha një zëdhënës i Qeverisë gjermane.

“Raportimet që supozojnë se ne do t’i pakësojmë ndihmat, janë thjesht të pasakta”, tha zëdhënësi Wolfgang Buechner për gazetarë, duke shtuar se Gjermania “është plotësisht e përkushtuar” ta mbështesë Ukrainën “sa të jetë e nevojshme”.

Drafti më i ri i buxhetit përfshin rreth 4 miliardë euro të ndara për Ukrainën nga buxheti i vitit të ardhshëm, krahasuar me rreth 8 miliardë euro në vitin 2024.

Tri partitë në koalicionin qeverisës të kancelarit, Olaf Scholz, kanë pasur mospajtime për kohë të gjatë për buxhetin e vitit 2025 të Gjermanisë.

Ministri liberal i Financave, Christian Lindner, u ka kërkuar ministrave të tjerë ta ruajnë buxhetin, në mënyrë që ta respektojnë vendimin kushtetues që ka për qëllim mbrojtjen e shtetit nga zhytja në borxh të thellë.

Buxheti i vitit 2025 do të diskutohet edhe më tutje, para se të miratohet kah fundi i këtij viti.

Ministria e Financave tha të shtunën se është e hapur të shqyrtojë shpenzime shtesë për Ukrainën për rast individuale. /REL

/GazetaSinjali/