image Gjermania do të dyfishojë ndihmën ushtarake për Kievin në 2024-ën

Botë

Gjermania do të dyfishojë ndihmën ushtarake për Kievin në 2024-ën

news image

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, njoftoi të dielën dyfishimin, në 8 miliardë euro, të ndihmës ushtarake që vendi i tij do t’i japë Ukrainës në vitin 2024.

Ky është një “mesazh i fortë për Ukrainën” se “ne nuk do ta braktisim atë”, tha Pistorius në transmetuesin publik ARD, duke konfirmuar raportimet në shtypin gjerman dhe ndërkombëtar se shuma ishte dyfishuar.

Vendimi vjen pasi “Ukraina duhet të vazhdojë betejën” me Rusinë “në një kohë kur një pjesë e vëmendjes ndërkombëtare është përqendruar te Izraeli” dhe lufta e tij kundër Hamasit në Rripin e Gazës, shtoi ministri.

Për më tepër, rritja e ndihmës korrespondon “me përvojën që kemi pasur këtë vit”, e cila ka treguar se “sasia e parashikuar” e ndihmës është “shfrytëzuar shpejt”, shtoi ai.

Qeveria gjermane fillimisht planifikoi një paketë ndihme, kryesisht pajisje ushtarake, me vlerë 4 miliardë euro.

Por partitë në qeverinë e koalicionit të kancelarit Olaf Solz ranë dakord të dyfishonin shumën. Vendimi pritet të ratifikohet zyrtarisht me një votim në një komitet të dhomës së ulët të Gjermanisë, Bundestagut, të enjten.

Pasi ushtria ruse pushtoi territorin ukrainas, në fund të shkurtit 2022, Gjermania është ndër vendet me kontributin më të madh në mbështetjen e Kievit. Berlini i ka ndarë rreth 22 miliardë euro qeverisë ukrainase, duke ofruar ndihmë humanitare, ekonomike dhe ushtarake.

Gjermania i ka dërguar Ukrainës në veçanti tanke të rënda, automjete të blinduara luftarake, municione dhe sisteme të ndryshme të mbrojtjes kundërajrore. 

Megjithatë, thuhet se nuk dëshiron ta furnizojë atë me raketa me rreze të gjatë veprimi Taurus për shkak të shqetësimeve se ato mund të përdoren për të goditur thellë brenda Rusisë.

Njoftimi i Pistorius vjen pasi kundërofensiva e shumëpritur e Ukrainës për të rimarrë territorin e pushtuar nga trupat ruse duket se po lë shenjën e saj dhe linja në frontin e gjerë ka ndryshuar pak.

Kreu i Shtabit të Përgjithshëm të Mbrojtjes Kombëtare të Ukrainës, gjenerali Valery Zaluzny, gjykoi në një intervistë të fundit me revistën The Economist se të dy ushtritë janë në një luftë shkatërrimi dhe pozicionesh.

/GazetaSinjali/