image Gjermania akuzon 6 anëtarë të dyshuar të IS-K për planifikim të sulmeve terroriste

Evropë

Gjermania akuzon 6 anëtarë të dyshuar të IS-K për planifikim të sulmeve terroriste

news image

Gjermania ka ngritur akuza ndaj gjashtë shtetasve të huaj nën dyshimet se kishin planifikuar sulme terroriste në emër të grupit ekstremist, Shteti Islamik Korasan (IS-K), tha Zyra e Prokurorit Federal më 24 prill.

Të dyshuarit, të identifikuar si shtetasit taxhikë, Mukhammadshujo A., Nuriddin K., Shamshud N., Said S., Raboni Z., dhe shtetasi kirgiz Abrorjon K., ndër të tjera akuzohen për themelimin e një organizate terroriste.

Sipas prokurorëve federalë, të akuzuarit synonin të kryenin sulme të profilit të lartë në Gjermani dhe në Evropën Perëndimore, por ata nuk kishin një plan konkret kur ndërhyn forcat e sigurisë.

Të dyshuarit, të cilët u arrestuan korrikun e vitit të kaluar, kishin qenë në kontakt me IS-K, që është një degë e Shtetit Islamik në Afganistan. Grupi IS-K kishte marrë përgjegjësinë për sulmin masiv në Moskë muajin e kaluar, kur u vranë të paktën 137 persona.

Sipas hetuesve, të dyshuarit kishin shkuar në Gjermani përmes Ukrainës, pasi shpërtheu lufta atje, në pranverën e vitit 2022, dhe formuan celula terroriste së bashku me një anëtar tjetër nga Holanda.

Prokurorët gjermanë thanë se të akuzuarit vazhdimisht diskutonin për qëllimet e tyre dhe vëzhgonin vendet e mundshme për kryerjen e sulmeve, raporton REL.

/GazetaSinjali/