Gjergj Dedaj, ambasador i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, që pretendonte se është rrahur fizikisht e torturuar nga Hashim Thaçi gjatë kohës së luftës, është bërë bashkë me të për të buzëqeshur për një fotografi.
I gjithë takimi mes tyre ka ndodhur për shkak të dekoratës së Thaçit ndaj banorëve të Çegranit, shkruan Sinjali.
Pretendimet e Dedajt ishin se Thaçi gjatë luftës e kishte torturuar për shkak se ai përkrahte Ibrahim Rugovën. Pretendimet e Dedajt vazhdonin se ndaj tij, Thaçi kishte ushtruar dhunë fizike, psikike dhe morale.
Këto veprime ai i quante kriminale e jo incidente
“Në vitin 1998 Thaçi e ka ndalur delegacionin e shtetit të Kosovës. Unë isha nënkryetar i Kuvendit. Ishim në vizitë në zonat e luftës. Na ka ndalu Hashim Thaçi me njerëzit e tij. Tha jeni të arrestuar. Arsyeja, thjesht që jeni parti politike që e përkrahni presidentin historik Ibrahim Rugova. Ka pas malltretim fizik, psiqik, moral…disa anëtarë të delegacionit janë torturu edhe fizikisht. Edhe unë jam malltretu fizikisht. Ai edhe na ka marrë në pyetje, na ka bërë presion. Është një krim, e jo një incident”, kishte rrëfyer Dedaj në emisionin Rubikon në KTV në dhjetorin e vitit 2011, pak ditë pasi Thaçi e kishte shkarkuar nga pozita e zëvendësministrit të Transportit.
Ambasadori i Kosovës, me bindje kishte thënë se kur t’i zbulonte sekretet shumë gjëra do të ndodhnin në Kosovë. Por, përkundër se kishte pretenduar se po tregonte diçka të madhe ai ka vazhduar takimet me Thaçin.
“Gjergj Dedaj ende s’ka fol. Kur flet Gjergj Dedaj diçka duhet të lëviz në Kosovë”, kishte thënë Dedaj, shkruan Sinjali.
Një takim mes Dedajt dhe Thaçit ndodhi edhe sot. Për ta kujtura këtë ngjarje ata shkrepen edhe një fotografi.
“Afër një milion shqiptarë nga Kosova u detyruan t’i braktisin shtëpitë e tyre për të shpëtuar nga masakrat e regjimit serb në vitin 1998 dhe 1999. Një pjesë e madhe e tyre u strehuan në fshatin Çegran të Komunës së Gostivarit. Për mikpritjen, bujarinë dhe mbështetjen vëllazërore për qytetarët e Kosovës, sot kam dekoruar banorët e Çegranit me ‘Urdhrin e Lirisë’”, ka shkruar Thaçi duke postuar një fotografi me Dedajn./Sinjali/