image Gjendjet e nivelit të vetëdijes, çrregullimi disociativ i identitetit, depersonalizimi dhe derealizimi - Sinjali

COVID-19

Të infektuar

107921

Të shëruar

105549

Të vdekur

2265

Gjendjet e nivelit të vetëdijes, çrregullimi disociativ i identitetit, depersonalizimi dhe derealizimi

news image

Shkruan: Rron Kastrati – Psikolog

Nivelet e vetëdijes si vigjilenca, dijenia dhe përqendrimi mund të jenë të rritura ose të ulura në mënyrë patologjike, sepse kur nivelet e vigjilencës dhe të aktivitetit janë lehtësisht të ngritura si në hipomani ose në rastin e gëlltitjeve të sasive të vogla të psikostimuluesve, pikërisht në këto situata personi përjeton vigjilencë të rritur, ku dhe gjallëria perceptuale është e rritur derisa me rritjen e mëtejshme të vigjilencës dhe të vetëdijes specifikisht në mani shkakton shpërndarjen e vëmendjes. Vigjilenca e tepërt shndërrohet në hipervigjilencë dhe paranojë.

Mjegullimi i vetëdijes karakterizohet nga rënia e aftësisë për të identifikuar të dhënat ndjesore dhe uljen e vëmendjes ndaj mjedisit dhe vetes. Pra, në këtë gjendje aftësia për të vlerësuar hollësitë dhe për të menduar në një mënyrë të shkallëzuar është e zbehur dhe është zëvendësuar nga të menduarit dikotomik (gjithçka ose asgjë) dhe të menduarit steriotipik.

Në thellësi të studimit më të detajuar, konsiderojmë se niveli i vetëdijes mund të luhatet shpejt, në varësi të gjendjes fiziologjike ose me shkallën e nxitjes së jashtme.

Në alterimet e vetëdijes, konfuzioni mund të shfaqet me çorientim në kohë dhe hapësirë, ose mosidentifikim të njerëzve. Zakonisht individët me këto përjetime shpërqendrohen lehtë dhe janë të paaftë për t’i kushtuar vëmendje të qëndrueshme një stimuli të vetëm.

Gjithashtu këto gjendje mund t’i kategorizojmë në disa lloje eksperiencash nga ky çrregullim, duke filluar nga gjendja që emërtohet torpor në të cilën individi është i përgjumur, bie lehtësisht në gjumë dhe shfaq një interval të shkurtër perceptimi dhe një të menduar të ngadaltë.

Vijojmë, ndërsa gjendja Stupor është një gjendje e errësimit të vetëdijes, në të cilin individi nuk flet, nuk lëviz, megjithëse sytë i ka të hapura dhe mund të ndjekë objektet e jashtme, kurse për gjendjen e komës nuk ka të dhëna për ndonjë aktivitet mendor.

Deliri është një gjendje konfuzionale akute, zakonisht karakterizohet nga një fillim relativisht i menjëhershëm dhe nga një kohëzgjatje e shkurtër e mjegullimit, e pakësimit dhe e shpërndarjes së vëmendjes, nga dëmtimi i kujtesës dhe i të mësuarit, anomalitë perceptuale dhe kognitive, si dhe disfunksione të tjera autonome.

narkolepsi gjendja psikike e individit karakterizohet nga rëniet e papritura në gjumë, aftësia e dikujt për të qëndruar zgjuar dhe për të ruajtur vetëdijen është e dëmtuar. Herë pas here fillimi i gjumit është gradual, shoqërohet me dukuri hipnagogjike në të cilën imazhet e ngjashme me ëndrrat pushtojnë vetëdijen kurse herë të tjera ndryshimi i gjendjes së vetëdijes duket pothuajse i menjëhershëm, dhe këtë sindromë e shkaktojnë aksidentet automobilistike pas intoksimit me alkool.

Konkluzioni thelbësor dhe konkret i gjendjeve të alteruara të vetëdijes thekson se vetëdija mund të ndryshojë nga ana cilësore duke dhënë gjendjet e alteruara të saj, të cilat nënkuptohen dhe ndjehen si mistike, mund të ndodhin në gjendje normale dhe ato patologjike.

Meditimi intensiv dhe përvojat e kulmit ose epifanike të raportuara te më tepër se 10 % e individëve normalë, të cilat shkaktojnë ndjesi sikur vetja tretet ose sikur rritet, sikur vetja shkrihet në mënyrë mistike me kozmosin, sikur koha ndalon dhe kuptimi universal bëhet i qartë.

Këto perceptime nga një ndjesi përtëritjeje dhe rinimi i identitetit personal, paaftësi për ta përshkruar me fjalë, emocionalitet intensiv dhe ndryshime perceptuale të njëkohshme. Përvojat e tilla nuk zgjasin më shumë se disa minuta, pastaj individi mund të rikuperohet duke e kthyer vetëdijen në stadin e realitetit objektiv.

Dukuria disociative  

Disociacioni i referohet ndarjes së atyre që janë sjellje, mendime, ose ndjenja të lidhura ngushtë. Gjendjet disociative janë ato në të cilat ka një çrregullim ose alterim të funksioneve të integruara normalisht të identitetit, kujtesës, ose vetëdijes dhe përfshijnë transin, fuga, skotoma mnestike, personalitetet e shumëfishta dhe kriza disociuese.

Skotoma mnestike janë periudha të amnezisë në alkoolizëm, në intoksikime nga substanca të tjera ose pas traumave të kokës. Megjithëse kujtesa gjatë skotomës mnestike ka humbur për vetëdijen mbizotëruese dhe se mund të rikthehet kujtesa për ngjarjet që kanë ndodhur gjatë skotomës mnestike të mëparshme. Kjo dukuri, e njohur si kujtesa në varësi të gjendjes, gjithashtu ndodh në shumë kushte tjera, duke treguar se aftësia e dikujt për të nxjerrë në dritë kujtime të caktuara, mund të ndikohet shumë nga alterimet fiziologjike specifike në saj të intoksikimeve të jashtme, ose gjendjeve të tjera të pazakonshme fiziologjike.

Fuga psikogjene karakterizohet nga periudha të zgjatura, në të cilat individët kryejnë veprime tepër komplekse, pa kujtuar jetët e tyre të mëparshme, identitetin, apo edhe emrat. Shpesh ata udhëtojnë larg nga venndodhjet e zakonshme dhe përvetësojnë plotësisht identitete të reja.                                             

Në mënyrë tipike, në amnezinë psikogjene, një individ mund të mos jetë në gjendje që të mbajë mend çfarë ka ndodhur gjatë një periudhe specifike, për shembull, përpara moshës 9-10 vjeçare në kontekstin e një fëmijërie traumatike, gjatë ngjarjeve katastrofike, si betejat traumatike, të frikshme, ose gjatë ngjarjeve më pak të rëndësishme, të cilat një person parapëlqen t’i harrojë, për të ruajtur vetëvlerësimin, duke mohuar aktivitete të turpshme, jomorale, ose joligjiore.

Çrregullimi disociativ i identitetit është njohur më parë si çrregullimi i personalitetit të dyfishtë, një gjendje disociative kronike në të cilën dy ose më shumë identitete ose personalitete të ndara që shkojnë krahas njëri-tjetrit mund të alternohen në vetëdije. Zakonisht ndodh te njerëzit, të cilët që në fëmijëri kanë qenë subjekte të të sjelljeve të vrazhda, të rënda e të përsëritura. Zhvillimi i personaliteteve të tjera disociative mendohet se është një mbrojtje psikologjike primitive e vijës së fundit të mbrojtjes, kundër gjendjeve traumatike të papërballueshme, prej të cilave nuk shpëton dot. Personalitetet mund të kenë mosha dhe gjini të ndryshme.

Në mënyrë tipike, identiteti i shfaqur është disforik, i ankthshëm dhe i shtypur, mund të ketë dhimbje koke dhe periudha të skotomës mnestike ose amnezie dhe nuk është në dijeni të personaliteteve tjera.

Depersonalizimi dhe derealizimi  Fillimisht depersonalizimi i referohet alterimit të përvojës dhe dijenisë për veten, duke çuar në ndjenja të të qenurit i pavërtetë ose i shkëputur nga trupi, ndjesinë e të qenurit një robot. Shpesh shoqërohet me ankesë e të qenurit një robot, shoqërohet me ankesën që individi nuk ka ndjenja ose përvoja ndjesore. Ata që përjetojnë depersonalizim shpesh kanë frikë se mos janë duke u çmendur. Për shkak të kësaj frike, shpesh individët i durojnë për një kohë të gjatë përvojat e depersonalizimit, përpara se të shkojnë për ndihmë te një profesionist i shëndetit mendor. Gjithashtu depersonalizimi karakterizohet nga dialogë shpesh të  brendshëm dhe të padëgjueshëm, midis vetës pjesëmarrëse dhe vetës dëgjuese, por me dijeninë e plotë që të dyja palët janë i njëjti person (një tipar që e dallon nga halucinacionet).  

Kjo përvojë shoqërohet shpesh me shtrembërime të lehta ndjesore, por jo halucinacione. Depersonalizimi mund të ndodh në kontekstin e depresionit, çrregullimeve të ankthit, ose të çrregullimeve të caktuara të personalitetit ose mund të ndodh si etnitet në vete.

Derealizimi – Në këtë gjendje derealiste individët e ndjejnë veten të vërtetë, por ndjejnë sikur bota rreth tyre papritur është bërë joreale. Derealizimi shpesh por jo gjithmonë, shoqëron depersonalizimin dhe se episodet kalimtare të depersonalizimit dhe derealizimit ndodhin shpesh te njerëzit normalë, në veçanti gjatë gjendjeve të lodhjes, deprivimit, ose situatave stresuese, siç janë humbjet e mëdha, dijenia e papritur se do të përfshihesh befasisht në një aksident automobilistik të pashmangshëm, etj.

Konkluzion i përgjithshëm

Së fundmi, për të qenë në dijeni se praktikat medituese dhe ekstazat nga ritualet e ndryshme fetare dhe kulturore të cilat janë të përhapura në shumë religjione dhe kultura, nuk duhen cilësuar dhe as diagnostifikuar si çrregullime të depersonalizimit sepse janë praktika depersonalizimi të vullnetshme, megjithëse nëse intensiteti i këtyre praktikave teprohet atëherë mund të shkaktohen parafytyrimet deluzive. Sipas analizës time studimore mbi nivelet e vetëdijes, dyshoj se këto nivele ndryshojnë nga prirjet tona të pavullnetshme të sugjestionimit, pra sipas tipeve të personalitetit, operacioneve tona mendore, mendimeve dhe bindjeve jetësore, përvetësimit të njohurive, statusit arsimor dhe mënyrës (qasjes) ndaj botëkuptimeve fetare.

Kurse në përjetimet e krizave disociuese dhe poashtu atyre derealiste duhet të identifikohen edhe elemente evidente të depersonifikimit, sepse në disa situata të gjurmuara individuale nga vëzhgimet dhe studimet psikoanalitike, shtjellimet e shqyrtuara e të analizuara esencialisht, sipas mendimit tim, këto përjetime mund të jenë me origjinë nga kuriozitetet e pakontrolluara me karakter shkencor,  ndjesi futuriste, imagjinata dhe fantazi të eksituara mbi Kozmosin, Universin, Fizikën Kuantike, Neurokuantikën, mekanizma kontrollues të EGOS, emocionet e ngulitura foshnjërore, çrregullimeve të turpit ( kur nuk e dimë se për çfarë turpi bëhet fjalë, por thjeshtë kemi turp, atëherë nuk kemi të bëjmë me një turp normal dhe çrregullimet e turpit shkaktojnë funksion të vështirësuar jetësor, të kufizuar dhe të rezervuar, shmangës, me mendime të mbivendosura obsesive, për të qenë të izoluar në qarqet e UNIT të pasigurt në raport me rrethanat sociale.

Rekomandim

Problemet dhe ankesat e mësipërme, nga përjetimet dhe shqetësimet e vazhdueshme sipas intensiteteve dhe intervaleve kohore kërkojnë nevojën e domosdoshme për konsulta me profesionistë të shëndetit mendor, sepse të gjitha këto shqetësime mund të tejkalohen kur ne pranojmë ndihmë terapeutike dhe terapitë e ndryshme profesionale zvogëlojnë dhe zhdukin rrezikun nga këto probleme dhe vështirësi psikologjike./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin