Gazeta Sinjali ditë më parë ka raportuar ekskluzivisht për një vjedhje që është raportuar në fshatin Slivovë të Prishtinës, ku një qytetari i është marrë vetura nga oborri i shtëpisë.
Sinjali mëson se vetura në fjalë ka përfunduar në Kamenicë, ndërsa policia ka arritur ta lokalizojë dhe ta kthejë te pronari i saj pas hetimeve të zhvilluara me intensitet.
Burime të sigurta të Sinjalit bëjnë me dije se M.G., rreth 56-vjeçar ka raportuar më 30 qershor 2025, rreth orës 10:30, se vetura e tij e tipit Opel Kadet, ngjyrë e bardhë, ishte zhdukur nga oborri i shtëpisë, ku ishte parkuar një ditë më herët.
Pas shikimit të kamerave të sigurisë pranë një pompe derivatesh në zonë, hetuesit kanë konstatuar se më 29 qershor, rreth orës 16:45, një autobarkë IVECO ngjyrë e verdhë kishte tërhequr veturën e humbur dhe ishte nisur në drejtim të Gjilanit.
Rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë” me urdhër të Prokurorit kujdestar.
Pas veprimeve hetimore, Policia ka arritur të identifikojë të dyshuarin si Afrim G., rreth 66-vjeçar, i cili është intervistuar më 1 korrik në prani të avokatit mbrojtës dhe është liruar në procedurë të rregullt, me vendim të Prokurorit të Shtetit.
Ndërkohë, vetura e vjedhur është gjetur në fshatin Berivojc të Kamenicës, është sekuestruar nga Policia dhe më pas i është kthyer pronarit sipas udhëzimeve të Prokurorisë.
Hetimet për rastin janë në vijim.