Pas hetimeve intensive nga njësia e hetimeve e Stacionit Policor Zubin Potok, është gjetur automjeti i raportuar si i vjedhur. Ky zhvillim ka ardhur pas informacioneve të pranuara nga rrugë operative dhe në bashkëpunim me ankuesin, raporton Gazeta Sinjali.
Policia e Kosovës njofton se në kuadër të hetimeve, është identifikuar personi i dyshuar, V.K, 22 vjeç, dhe është vërtetuar vendndodhja e automjetit të vjedhur, i cili ishte i fshehur në një fshat të komunës Ribariç në Serbi. Pas verifikimit të vendndodhjes, ankuesi ka shkuar dhe ka marrë veturën.
Rasti i vjedhjes ishte raportuar të ketë ndodhur në natën mes datës 19 dhe 20 Prill të vitit 2025, kur automjeti ishte vjedhur nga oborri i shtëpisë së ankuesit në Zubin Potok.
Të gjitha veprimet e ndërmarra nga Policia e Kosovës janë paraqitur për shqyrtim tek Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që personi i dyshuar, V.K., të futet në stop-listë, pasi është në interes të Policisë që ai të intervistohet në lidhje me këtë rast.
“Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët pa dallim që të raportojnë çdo informacion të dyshimtë, i cili mund të ndihmojë në parandalimin dhe zgjidhjen e rasteve të tilla”, thuhet tutje në njoftim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!