Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen të zhdukur. Shumë shpesh angazhohen edhe njësi e grupe vullnetare që të zbulojnë gjurmët e personave që nuk dihet asgjë për fatin e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Ndihmën e Policisë e ka kërkuar së fundmi një familje në Prizren, që raportuan se vajza e tyre 19-vjeçare, kishte dalë nga shtëpia dhe nuk është kthyer më.
Raportimi i rastit aktivizoi njësitë policore, që u vunë në lëvizje dhe arritën të zbulojnë vendndodhjen e vajzës.
Siç merr vesh Sinjali, pas bashkëpunimit me autoritetet shqiptare, 19-vjeçarja është gjetur në Durrës të Shqipërisë.
Sipas informacioneve të para, gjendja e saj shëndetësore është e mirë, por akoma nuk dihen rrethanat se si ka përfunduar atje.
Lidhur me detajet e rastit, është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit.