Daniel Siad, agjenti francez i modeleve i përmendur gjerësisht në dosjet që lidhen me financierin e dënuar për abuzim seksual Jeffrey Epstein, është gjetur i vdekur në banesën e tij në Colombes, në periferi të Parisit.
Lajmi është konfirmuar nga autoritetet franceze, ndërsa Prokuroria e Nanterre ka bërë të ditur se është urdhëruar kryerja e autopsisë për të përcaktuar shkaqet e vdekjes. Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë detaje të tjera mbi rrethanat e ngjarjes.
Vdekja e Siadit vjen vetëm pak kohë pasi ai dha një intervistë për CNN, ku foli për marrëdhënien e tij me Jeffrey Epstein. Në intervistë, ai deklaroi se nuk kishte dijeni se dy gra, të cilat ai ia kishte prezantuar Epsteinit, më vonë e akuzuan këtë të fundit për abuzim seksual.
Sipas Siadit, Epstein e kishte bindur se pas dënimit të vitit 2008 kishte shlyer përgjegjësitë ligjore dhe se nuk do të përsëriste më sjellje të tilla.
Dokumentet e publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë tregojnë se Epstein i kishte paguar Siadit dhjetëra mijëra dollarë. Në të njëjtat dosje gjenden edhe komunikime ku Siad e informonte Epsteinin për gra të reja që kishte takuar, duke i dërguar në disa raste edhe fotografi të modeleve apo kandidateve për punë.
Emri i Daniel Siadit përmendet më shumë se 2 mijë herë në dokumentacionin zyrtar të lidhur me çështjen Epstein, duke e bërë atë një nga personat më të përmendur në dosjet hetimore.
Ndërkohë, në Francë ishte në zhvillim edhe një hetim penal ndaj Siadit për akuza të veçanta për sulm seksual. Një modele e kishte akuzuar për përdhunim, duke pretenduar se ngjarja kishte ndodhur në vitin 1990. Siad i kishte mohuar vazhdimisht këto akuza.
Autoritetet franceze pritet të publikojnë rezultatet e autopsisë, të cilat do të ndihmojnë në sqarimin e shkaqeve të vdekjes së tij.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!