Të miturat janë viktimat më të shpeshta të ngacmimeve seksuale, sulmeve seksuale e dhunimeve në Kosovë. Raste të tilla dhe mjaft të trishta po tronditin familjet e tyre, që kërkojnë ndihmë dhe mbrojtje nga institucionet. Shumë herë këto ngjarje zbulohen pasi viktimat largohen nga shtëpia dhe nuk dihet asgjë për fatin e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë u zbulua pasi një vajzë 15-vjeçare nga Gjakova, u raportua e zhdukur para disa ditësh.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se vajza është gjetur dhe gjatë kohës sa ka qenë e zhdukur, ka qëndruar me një 19-vjeçar, me të cilin ka pasur lidhje dashurie.
E mitura ka dhënë dëshminë e saj dhe më pas është dërguar në spital për ekzaminimet e nevojshme mjekësore.
Njësitet policore janë vënë menjëherë në lëvizje, me ç’rast i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor.
Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orëve dhe ndaj tij është hapur rast nën dyshimet se ka kryer veprën penale ‘Sulm seksual’.