Gazeta Sinjali ka raportuar sot ekskluzivisht për një incident serioz i përdorimit të armës së zjarrit që është regjistruar pasditen e së dielës në fshatin Damjan të Gjakovës, ku një person ka qëlluar dy herë me një armë të gjatë automatike të tipit AK-47, duke alarmuar banorët dhe duke mobilizuar njësitë policore.
Burime të Gazetës Sinjali bëjnë me dije se dje, rreth orës 16:30, është intervistuar i dyshuari Kreshnik Thaqi, rreth 33- vjeçar, nga Njësia e Hetimeve në Gjakovë, pas raportimeve të marra nga tre dëshmitarë.
Gjatë intervistimit, i dyshuari ka pranuar se një ditë më parë kishte shtënë me armë dhe më pas e kishte fshehur atë në një livadh afër shtëpisë së tij, për të shmangur përgjegjësinë.
Arma e dorëzuar është një automatik i llojit AK-47 (prodhim kinez), së bashku me një karikator dhe rreth 30 copë fishekë të kalibrit 7.62×39 mm.
E gjithë kjo është sekuestruar nga Njësia e Hetimeve të Stacionit Policor në Gjakovë, ndërsa me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarit është marrë masa e ndalimit për 48 orë.
Lidhur me rastin, ndaj tij janë iniciuar procedura penale për dy vepra: “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” dhe “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.