Një grua ka ndërruar jetë të hënën në QKUK e për vdekjen e saj, familja po e fajëson restorantin, ku e ndjera kishte ngrënë ushqim.
Helmimin e viktimës, H.Sh., e edhe vdekjen pastaj, dyshohet që e shkaktoi dreka që e kishte ngrënë në një të pame në Trudë të Prishtinës.
Për këtë rast, Policia e Kosovës, ka nisur hetimet. Ndërsa Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka marrë mostrat nga restoranti, ku është gjetur bakteria vdekjeprurëse Escherichia Coli.
Zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi, ka thënë për Gazetën Sinjali se personat e helmuar kanë konsumuar, mish të kuq, mish të bardhë, pleskavicë me sos dhe sallatë mikse.
“Agjencia e Ushqimit me datë 05.09.2021, ka pranuar informatën nga Policia e Kosovës për një rast dyshimi ne helmim në fshatin Trudë. Sipas intervistimit paraprak rezulton që pas një organizimi familjar, personat kanë konsumuar ushqim nga shërbimi me dërgesë. Ekipi inspektues së bashku me Policinë e Kosovës si dhe mostruesin nga IKSHPK, menjëherë kanë nisur hulumtimin. Bazuar në informatat nga disa prej personave të dyshuar në helmim rezulton se po të njëjtit kanë konsumuar pleskavicë me sos, mish të kuq, mish të bardhë, si dhe sallatë mikse. Konsumi i këtyre produkteve ka ndodhur me dt. 03.09.2021 rreth orës 15:00. Ndërsa shqetësimet e para shëndetësore kanë filluar rreth orës 00:00-01:00 të datës 04.09.2021. Sipas të dhënave nga institucionet shëndetësore së pari personat në fjalë janë referuar për teste Covid”, ka deklaruar Thaçi.
Ai ka thënë që pas inspektimit është konstatuar se kushtet higjienike-sanitare në atë restorant kanë qenë në nivel mesatar.
“Bazuar nga këto të dhëna ekipi inspektues e sipërpërmendur doli ne vendngjarje dhe konstatoi: Në inspektim të kushteve të përgjithshme higjiene sanitare u vlerësuan në nivel mesatar, shumica e hapësirave janë të ndërtuara nga material qe lehtë pastrohet dhe mirëmbahet, por kishte mundësi të kontaminimit të kryqëzuar, pasi që në të njëjtën hapësirë ruhen produktet e gatshme për konsum me produktet-lëndë të parë. Djathi, sosat ishin shumë afër vezëve, pa asnjë ndarje fizike, gjë që paraqet mundësi për kontaminim. Ruajtja e majonezit, jo adekuate, ku sipas prodhuesit duhej ruajtur në temperaturë 5-10 °C, ndërsa mbahej ne temp ambienti”, ka thënë Thaçi.
“Për të penguar edhe persona të tjerë mund të helmohen dhe bazuar ne te dhënët faktike ne vendngjarje subjekti është mbyllur përkohësisht, deri ne identifikimin e plote dhe te sakte të faktorit ose faktorëve që kanë mundur të ndikojnë në helmim. Subjekti është urdhëruar të beje përmirësime ne kushtet higjienike, kushte të ruajtjes, sistemim dhe organizim te produkteve bazuar ne natyrën dhe destinimin e tyre, eliminimin e plote te të gjitha mundësive që mund të konvertohen ne kontaminim të kryqëzuar, dhe ne fund të kryhej DDD”, ka deklaruar ai.
“Nga 15 strisho të marra, 4 prej tyre rezultojnë pozitive në: Strisho nga rubineti ˃ 300 cfu/cm 2 Escherichia Coli; Strisho nga ena plastike 50 cfu/cm 2 Escherichia Coli; Strisho nga dërrasa për prerjen e ushqimit ˃ 300 cfu/cm 2 Escherichia Coli; Strisho nga kapësja e sallatës 50 cfu/cm 2 Escherichia Coli”
“Ndërsa nga 6 mostrat e ushqimit të marra në momentin e inspektimit kemi rezultatet si në vijim: Sallatë domatesh- Nr i përgjithshëm i baktereve të gjalla mezofile ˃ 300 cfu/gr, Bakterie koliforme 1200 cfu/gr; Sallatë e gjelbër- Nr i përgjithshëm i baktereve të gjalla mezofile 1500 cfu/gr; Sallatë lakre- Nr i përgjithshëm i bakterieve të gjalla mezofile 1200 cfu/gr; Sos i mishit të kuq – Nr i përgjithshëm i baktereve të gjalla mezofile ˂ 10 cfu/gr; Mish i bardhë i pjekur – Nr i përgjithshëm i baktereve të gjalla mezofile ˂ 10 cfu/gr; Gjellë (Gullash)- Nr i përgjithshëm i baktereve të gjalla mezofile ˂ 10 cfu/gr”, ka thënë Thaçi.
“Në bazë të konstatimit dhe shqyrtimit të gjendjes faktike gjatë inspektimit subjekti afarist ka bërë shkelje të dispozitave ligjore në fuqi të cilat përbëjnë kundërvajtje. Përkatësisht shkeljen: nenit 15 paragrafi 1, paragrafi 2, të Ligjit Nr. 03/ L-016 Për Ushqimin, që konsiderohet shkelje dhe përbënë kundërvajtje në bazë të nenit 46 paragrafit 3 nënparagrafit 3.2 të Ligjit Nr. 03/ L-016 Për Ushqimin, si dhe nenit 7, nenit 8, nenit 9, nenit 10 dhe nenit 11 të Ligjit Nr. 03/L-016 Për Ushqimin, që konsiderohet shkelje dhe përbënë kundërvajtje në bazë të nenit 46 paragrafit 1 nënparagrafit 1.2 të Ligjit Nr. 03/ L-016 Për Ushqimin”, ka thënë Thaçi.
Rastin në Polici e ka hapur bashkëshorti i saj, shkruan Sinjali.
“QKUK-Prishtinë 04.10.2021 – 17:00. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se bashkëshortja e tij ka ndërruar jetë si pasojë e helmimit nga ushqimi në restorant dhe e njëjta është varrosur me datën 5.10.2021 pa u bërë obduksion. Është njoftuar prokurori dhe me urdhër të tij fillojnë procedurat hetimore dhe është iniciuar rasti si më lart”, bëhet e ditur në raportin e policisë /GazetaSinjali/