Eurovision Song Contest i këtij viti i cili u mbajt para dy javësh u përcoll me emocione, dramë e kritika.
Ndonëse, pas më shumë se dy javësh, është raportuar nga medie të shumta për një situatë që pothuajse u doli nga kontrolli EBU-s që organizon festivalin.
Sipas gazetës norvegjeze VG, gjashtë vende donin të tërhiqeshin nga gara deri në 25 minuta para fillimit të finales së madhe. E veçanta është sepse në mesin e këtyre 6 vendeve është tashmë edhe shteti fitues i festivalit këtë vit, Zvicra.
Vendet e tjera që po ashtu kërcënuan ta lënë garën ishin Irlanda, Portugalia, Norvegjia, Greqia si dhe Mbretëria e Bashkuar.
Arsyet për këtë mbeten të paqarta dhe nuk ka pasur sqarim të qartë, megjithatë flitet se ka të bëjë diçka me pjesëmarrjen dhe sjelljen e stafit të ekipit përfaqësues të Izraelit.
Njëri prej avokuesve më të zëshëm për t’u tërhequr nga eventi ishte Magnus Bormark, një anëtar i grupit norvegjez Gate.
“Ne kemi menduar të tërhiqemi deri në momentin e fundit. Shumë prej nesh reaguan ndaj faktit që Izraeli pati mundësinë të përdorte Eurovizionin si mjetin e tij politik”, shpjegoi kitaristi.
“Pika jonë e përbashkët ishte se ne nuk donim të merrnim pjesë në Eurovision për t’u përdorur dhe stigmatizuar në një makinë propagande lufte në Izrael. Ne morëm pjesë për të krijuar një hapësirë ku mund të bashkohemi në muzikë – në një situatë politike ku të gjithë zgjedhin anët dhe urrejnë njëri-tjetrin”.
Mbetet e paqartë se çfarë u negociua në fund dhe pse gjashtë vendet pranuan të merrnin pjesë në finalen e madhe.