image Gjashtë të vrarë nga sulmet ruse në Kherson

Botë

Gjashtë të vrarë nga sulmet ruse në Kherson

news image

Të paktën një raketë ruse goditi në një rrugë të frekuentuar në qytetin jugor ukrainas të Hersonit, duke vrarë gjashtë persona, në kohën kur presidenti rus, Vladimir Putin, po mbante fjalimin për të shënuar njëvjetorin e nisjes së luftës, thanë zyrtarët.

Ushtria ukrainase dhe autoritetet lokale në Kherson thanë se 12 të tjerë u plagosën në këtë sulm. Reuters raporton se sulmi ndodhi afër një stacioni të autobusëve.

Nga shpërthimi po ashtu ka pasur dëme në dyqanet afër.

Në fotografitë e postuara nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u shfaqën trupa të pajetë të shtrirë në tokë.

“Në këtë kohë të ditës ky vend është i frekuentuar shumë dhe ka të ngjarë që të ketë edhe më shumë viktima”, tha Viktoria, një ukrainase që po priste autobusin.

“Është e frikshme”, shtoi ajo.

Autoritetet lokale në Kherson thanë se ishin cak i disa sulmeve në kohën kur presidenti rus po mbante fjalimin, në të cilin ai e përshkroi Perëndimin si agresor në Ukrainë dhe mohoi se shteti i tij kishte nisur luftën kundër popullit ukrainas.

Rusia ende nuk ka komentuar lidhur me sulmet në Kherson, qytet në të cilin, sipas ushtrisë ukrainase, janë hedhur rreth 20 raketa.

Moska vazhdimisht ka mohuar se ka shënjestruar civilët në luftën në Ukrainë, por qytetet ukrainase janë shkatërruar nga sulmet me raketa dhe dronë, teksa besohet se janë vrarë mijëra civilë.

“Ushtria ruse po granaton rëndë Khersonin. Sërish, vrasje të pamëshirshme të popullatës civile”, shkroi Zelensky në Telegram.

Ukraina rimori kontrollin e Khersonit në nëntorin e kaluar, tetë muaj pasi Rusia kishte pushtuar atë, raporton REL.

Qyteti i Khersonit dhe zonat përreth janë vazhdimisht cak i bombardimeve nga forcat ruse, që gjenden në anën tjetër të bregut të Lumit Dnjepër.

/GazetaSinjali/