Gjashtë persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur sot rreth orës 18:00, në fshatin Shupkovc.
Të përfshira në këtë aksident kanë qenë dy vetura, ku sipas Policisë dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e mosmbajtjes së distancës.
Personat e lënduar janë dërguar për tretman mjekësor në Spitalin Rajonal në Mitrovicë.
Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
“Një aksident trafiku me të lënduar është raportuar pasditen e sotme rreth orës 18:00, aksidenti ka ndodhur në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë segmenti rrugor në fshatin Shupkovc. Të përfshira në aksident dy vetura civile ku si pasojë lëndime kanë pësuar gjashtë persona, të cilët kanë kërkuar tretman mjekësor në Spitalin Rajonal në Mitrovicë. Nga hetimet e bëra në vendin e ngjarjes shkaktar i aksidentit dyshohet të jetë mosmbajtja e distancës.”, ka thënë Zahiti./Sinjali/