image Rastet kur Gjykatat e Kosovës kanë dhënë dënim me burgim të përjetshëm - por s'morën plotfuqishmëri

Drejtësi

Rastet kur Gjykatat e Kosovës kanë dhënë dënim me burgim të përjetshëm – por s’morën plotfuqishmëri

news image

Gjykata Themelore në Ferizaj të enjten e ka dënuar me burgim të përjetshëm Naser Pajazitajn, i akuzuar për vrasjen e Donjeta Pajazitajt në nëntor të 2015-tës, shkruan Sinjali.

Më herët Gjykata Themelore në Pejë, në mars të vitit 2018, të akuzuarin Naser Pajazitaj, në mungesë të provave e kishte liruar nga akuzat për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, por pas ankesës së prokurorisë, Gjykata e Apelit e kishte kthyer këtë lëndë në rigjykim.

E dënimi me burgim të përjetshëm është rikthyer në legjislacionin penal të pasluftës më hyrjen në fuqi të Kodit Penal të Republikës së Kosovës në vitin 2013.

Zëdhënësi i Gjykatës së Apelit, Arbër Jashari nëpërmjet një postimi në Facebook që thotë se është një vlerësim personal, ka treguar se gjykatat kosovare kanë shqiptuar gjashtë të tilla, por asnjë nga këto nuk i ka kaluar të gjitha instancat, për të marrë vulën e plotfuqishmërisë.

Në vijim po ua sjellim një kronologji të këtyre rasteve:

2016
Gjykata Themelore në Prishtinë e dënon me burgim të përjetshëm të akuzuarit Emin Krasnqi dhe Astrit Mehmeti, pasi i gjeti fajtor ata për veprën penale vrasje e rëndë në bashkryerje, të shtetasit boshnjak Melvin Ajdinoviq. Aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë, u ndryshua nga Gjykata e Apelit. I akuzuari i parë u dënua me 25 vjet burgim, ndërsa i dyti me 22.

2018
Gjykata e Apelit shqiptoi dënim me burgim të përjetshëm për të akuzuarin Pjeter Ndrecaj, i cili u shpall fajtor për vrasjen e bashkëshortes Valbona Marku dhe vajzës Klara Ndrecaj. Ky rast u kthye në rigjykim më pas nga Gjykata Supreme. Në procedurë të rigjykimit, gjykata e shkalles se parë, e dënoi të akuzuarin me dënim unik 24 vjet e 6 muaj, vendim te cilin e ndryshoj serish Gjykata e Apelit në dhjetor te vitit 2020, duke ia rritur dënimin në 30 vjet burgim.

2019
Gjykata Themelore në Pejë, e dënoi më burgim të përjetshëm Naser Pajazitin, si fajtor për vrasjen e Donjeta Pajazit. Ky dënim u vërtetua nga Gjykata e Apelit, por që u kthye në rigjykim më pas nga Gjykata Supreme. Në procedurë të rigjykimit i akuzuari dënohet serish më burgim të përjetshëm(Gjykata Themelore në Ferizaj -27.05.2021.)

2020
Gjykata Themelore në Ferizaj, e dënon më burgim të përjetshëm, të akuzuarin Trimor Lalinovci, si fajtor për vrasjen e shtetasit Shkodran Bytyqi. Vendimi u ndryshua nga Gjykata e Apelit(dhjetor 2020). Dënimin me burgim të përjetshëm iu zëvendësua me atë prej 30 vjet burgim.

2020
Gjykata Themelore në Prizren, e dënon me burgim të përjetshëm ish policin Shefki Spahiun, për vrasjen e të ndjerit Jetmir Aliaj.Vendimi u vërtetua nga Gjykata e Apelit(shkurt 2021). Lënda tash ndodhet me mjet të jashtëzakonshëm juridik në Gjykatën Supreme.

2020
Gjykata Themelore në Gjilan, e dënoi me burgim të përjetshëm të akuzuarin Nuhi Mavrovqani, për shkak të vrasjes së bashkëshortes se tij Sabile Mavrovqani. Ky aktgjykim është prishur nga Gjykata e Apelit, në shkurt të këtij viti dhe lënda i është kthyer të njëjtës gjykatë në rivendosje.

/GazetaSinjali/