image Gjashtë komisione parlamentare sot do të mbajnë mbledhje

Politikë

Gjashtë komisione parlamentare sot do të mbajnë mbledhje

news image

Në Kuvendin e Kosovës sot do të mbajnë mbledhje gjashtë komisione parlamentare.

Më poshtë gjeni detaje për secilën mbledhje.

Komisioni për legjislacion, mandate, imunitetet, rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit do të mbajë mbledhje në ora 11:00. Fillimisht do të propozohet dhe miratohet rendi i ditës, e më pas pikë të dytë të rendit të ditës do të jetë shqyrtimi në parim i Projektligjit për të Drejtat Pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovë, nr.07/L-021.

Në këtë komision do të shqyrtohet në parim Projektligji për të Drejtën Ndërkombëtare Private, më pas shqyrtimi i shkresës nga ish-sindikata e nëpunësve dhe ish-sindikata e policëve të Kosovës të viteve të 90-ta.

Po ashtu në këtë komision do të bëhet edhe shqyrtimi i raportit me rekomandime të Avokatit të Popullit për rastin A. nr. 452/2020, në lidhje me mos aprovimin e propozimit të Odës së Avokatëve të Kosovës, për kandidatët anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe pika e fundit është, të ndryshme.

Edhe Komisioni për mbikëqyrjen e financave publike do të mbajë mbledhje në ora 11:00 ku pritet të bëhet shqyrtimi i raportit vjetor të Auditimit për vitin 2019-të, e ku është e ftuar edhe ministrja e Financave Publike, Hykmete Bajrami dhe Auditori i Përgjithshëm i ZKA-së, Besnik Osmani.

Po ashtu në ora 11:00 do të mbahet mbledhja edhe e Komisionit për ekonomi, punësim, tregti, industri, ndërmarrësi dhe investime Strategjike, ku ndër pikat e rendit të ditës ka formimin e Grupit të Punës-Panelit për zgjedhjen e “Kryesuesit të Komisionit Shqyrtues të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit”.

Ndërsa, në ora 13:00 do të mblidhet Komisioni për bujqësi, pylltari, zhvillim rrural, infrastrukturë dhe mjedis në të cilin komision është i ftuar kryetari i këshillit koordinues të fermerëve të qumështit. Ai do të njoftoj për problemet me grumbullimin e qumështit nga ana e fermerëve të Kosovës.

E në Komisionin për të drejtat dhe interesat e komuniteteve dhe kthim që do të mbajë mblidhje në orën 13:00 pikë e rendit të ditës do të jetë edhe nisma legjislative e komisionit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.03/L-064 për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës.

Edhe sot do të mbajë mbledhje Komisioni hetimor parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë. Deputetët e këtij komisioni do ta intervistojnë ish-ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj. 

/GazetaSinjali/