image Giaufret: Dialogu duhet të vazhdojë, presim të shohim përparim në themelimin e Asociacionit

Politikë

Giaufret: Dialogu duhet të vazhdojë, presim të shohim përparim në themelimin e Asociacionit

news image

Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Emanuele Giaufret, tha se BE-ja pret të shohë përparim në themelimin e Asociacionit të komunave serbe në Kosovë, duke shtuar se dialogu duhet të vazhdojë.

Giaufret tha për TV Prva se shpejtësia me të cilën Serbia do të anëtarësohet në BE kushtëzohet nga reformat në fushën e sundimit të ligjit, lufta kundër korrupsionit, si dhe marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Tani jemi në një situatë ku kemi disa marrëveshje të arritura, nga viti 2013 dhe 2015, dhe Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve nga viti i kaluar. Tani çështja është zbatimi i obligimeve të shumta. Çështjet kryesore janë te tabela, të dyja palët kanë detyrime që duhet t’i zbatojnë”, tha Giaufret.

Ai përkujtoi se një sërë lëvizjesh të “njëanshme” të Kosovës, të cilat ua vështirësuan jetën njerëzve në Kosovë, u kritikuan nga BE-ja.

“Ne jemi duke diskutuar në kuadër të dialogut se si të vazhdohet. Dhe ky është mesazhi që u kemi përcjellë negociatorëve të të dyja palëve. Një nga aspektet kyçe është krijimi i Asociacionit. Evropianët kanë dhënë një draft të statutit dhe presim që të shohim progres në themelimin e Asociacionit”, tha ai.

Ai theksoi se dialogu duhet të vazhdohet, sepse nuk ka rrugë tjetër për zgjidhjen e situatës, veçanërisht për të përmirësuar jetën e popullatës vendase.

/GazetaSinjali/