image Gërxhaliu e quan nder ofendimin nga Ramush Haradinaj: Vendi nuk mbrohet vetëm me pushkë

Kosovë

Kundërpërgjigje/ Gërxhaliu e quan nder ofendimin nga Ramush Haradinaj: Vendi nuk mbrohet vetëm me pushkë

news image

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, e ka quajtur nder ofendimin që kryeministri në largim i Kosovës Ramush Haradinaj i ka bërë për shkak të qëndrimeve të tij për taksën ndaj Serbisë, raporton Gazeta Sinjali.

Haradinaj gjatë ditës së sotme e ka quajtur Gërxhaliun, matrapaz për shkak se sipas tij, ka pasur qëndrim kundër taksës ndaj Serbisë dhe se sipas Haradinajt ka sjellë prodhues serbë në Kosovë.

Të gjitha këto deklarata të Haradinajt, Gërxhaliu po i cilëson se janë bërë për shkak të mos njohurive të Haradinajt në fushën e ekonomisë.

Në një bisedë të shkurt për Gazetën Sinjali, Gërxhaliu ka thënë se fillimisht funksioni nuk ndryshon asnjë person, ndërsa ka shtuar se pret që këshilltarët e tij t’ia mësojnë Haradinajt disa terme ekonomike që sipas tij, vetëm atëherë Haradinaj do të mund të kupton qëndrimin e Gërxhaliut për taksën.

“Në rend të parë le të jetë një mesazh për të rinj të cilët e kanë një qasje krejt tjetër ndaj ardhmërisë së Kosovës, që një njeri në funksion nuk ndryshon, por bien vetëm maskat dhe në këtë drejtim dëgjova që zotëri Haradinaj e ka përdorur një vokabular bukur të vështirë ndaj meje çka dëshmon se është po ai i njëjti, por kanë rënë maskat”.

“Në rëndë të dytë dua të besojë që ka këshilltarë të dijshëm në prani të tij dhe që do të ia mësojnë se çka është evazioni, çka është inflacioni, çka është korrupsioni, çka është kriminaliteti, çka është mungesa e disiplinës financiare, çka është prishja e raportit me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe mbi të gjitha çfarë nënkupton rajonizimi dhe integrimi ekonomik në familjen evropiane. Besoj që kur t’i mësoj të gjitha këto do ta ketë të qartë qëndrimin tim profesionalist”, ka deklaruar Gërxhaliu.

Më tutje ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, ka thënë se qëndrimi i tij për taksën ka ardhur për shkak se dëshiron ta shoh përparimin e Kosovës në fushën e ekonomisë, ndërsa thotë se me taksën ndaj Serbisë, Kosova ka pësuar në aspektin politik, ekonomik, integrues dhe ka dëmtuar imazhin e shtetit.

“Duhet ta dinë qytetarët se nuk kam përkatësi politike, e dua Kosovën dhe ardhmërinë e Kosovës. Dua të besojë që ardhmëria dhe zhvillimi ekonomik mbështetet në sundim të ligjit dhe mbi këtë bazë e kam dhënë qëndrimin tim dhe vazhdoj të jem prapa saj se taksa e tillë ka qenë e gabuar politikisht  dhe Kosovën e ka dëmtuar qoftë në aspektin politik, qoftë në aspektin ekonomik, qoftë në aspektin integrues, e ka izoluar dhe mbi të gjitha e ka dëmtuar imazhin e shtetit”, ka deklaruar Gërxhaliu.

Më tutje ai i ka kujtuar Haradinajt se shteti nuk mbrohet vetëm me pushkë, por edhe me liri dhe ekonomi të zhvilluar.

“Prandaj dua ta besojë që kryeministrit t’ia mësojnë të gjitha këto gjëra dhe ta kuptoj që shteti nuk mbrohet vetëm me pushkë, por mbrohet edhe me liri dhe ekonomi të zhvilluar”, ka thënë ai.

Kur është pyetur për ofendimin që Haradinaj i ka bërë Gërxhaliut, ky i fundit ka thënë se i bëjnë nder, duke pasur parasysh se nga kush janë bërë.

“Ndërsa kur për ofendimet kur e di se kush i thotë dhe me çfarë njerëz punon, mund të them se vetëm më bëjnë nder. Nëse këshilltarët e tij do t’ia mësojnë termat dhe do ta kuptojë ekonominë ndryshe vetëm atëherë do të pendohet për ofendimet e adresuara”, ka deklaruar në fund të bisedës Gërxhaliu.

Kujtojmë se gjatë ditës së sotme Haradinaj e kishte quajtur matrapaz Gërxhaliun, si dhe duke e fajësuar për sjelljen e bizneseve nga Serbia në Kosovë.

“Safet Gërxhaliu është matrapaz. Ai e pati bë një panair dhe i pat pru qindra biznese serbe këtu. Ai njeri del e bën propagandë, si kryetar i Odës Ekonomike të vendit të vetë. U dëmtua thoshte ekonomia me taksë. Me i thanë hej bre, nuk po të vjen marre. Nuk e kuptoj pse duhet me e dëmtuar veten. Këtë s’e bën Serbia. Taksa është e Kosovës”, ka deklaruar Haradinaj./Gazeta Sinjali/