Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka udhëtuar për në Londër, ku pritet të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare Ministrore për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt.
Përmes një komunikate, MPJD ka njoftuar se Gërvalla është ftuar nga Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, James Cleverly.
Ajo pritet të zhvillojë takime bilaterale me përfaqësues të ndryshëm të shteteve pjesëmarrëse dhe organizatave.
“Konferenca do të përqendrohet në reagimin global ndaj dhunës seksuale në konflikt, parandalimin e saj, mbështetjen e të mbijetuarve dhe fëmijëve të lindur nga dhuna seksuale në konflikt, si dhe në nxitjen e veprimeve dhe praktikave më të mira për të krijuar përgjegjësi ndaj autorëve të kësaj dhune”, thuhet në komunikatë.
Komunikata e plotë:
Ministrja Donika Gërvalla udhëton për në Londër
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla, ka udhëtuar për në Londër ku do të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare Ministrore për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt.
Në këtë konferencë ministrja Gërvalla merr pjesë me ftesë të Sekretarit të Jashtëm të Britanisë së Madhe, z. James Cleverly.
Gjatë punimeve të konferencës, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla do të zhvillojë edhe një sërë takimesh bilaterale me homologë, përfaqësues të ndryshëm të shteteve pjesëmarrëse dhe të organizatave ndërkombëtare.
Konferenca do të përqendrohet në reagimin global ndaj dhunës seksuale në konflikt, parandalimin e saj, mbështetjen e të mbijetuarve dhe fëmijëve të lindur nga dhuna seksuale në konflikt, si dhe në nxitjen e veprimeve dhe praktikave më të mira për të krijuar përgjegjësi ndaj autorëve të kësaj dhune.
Konferenca Ndërkombëtare Ministrore për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt mbahet nga 28-29 nëntor në Londër të Mbretërisë së Bashkuar, nën patronatin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe.