image Gërvalla e mbajti sekret takimin me kryediplomatin e Palestinës, diskutuan për ambasadën në Jerusalem

Politikë

Gërvalla e mbajti sekret takimin me kryediplomatin e Palestinës, diskutuan për ambasadën në Jerusalem

news image

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, derisa po merrte pjesë në Forumin Diplomatik të Antalyas është takuar me  homologun e saj nga Palestina, Riyad al-Maliki. Këtë takim Gërvalla e mbajti sekret.

Kryediplomatja e Kosovës s’ka njoftuar për këtë takim as përmes ndonjë komunikatë zyrtare e as në rrjete sociale. Megjithatë, ndryshe ka vepruar Ministria e Jashtme e Palestinës, duke publikuar fotografi të takimit në mes të diplomatëve.

“Ministri Al-Maliki sqaron pozicionin e shtetit të Palestinës në themelimin e raporteve bilaterale me Kosovën”.

Media turke Harberler ka raportuar se Gërvalla ka shprehur dëshirë që Kosova të themelojë raporte me Palestinën. E ndër të tjera, gjatë takimit Gërvalla dhe Al-Maliki kanë diskutuar edhe për Ambasadën e Kosovës në Jerusalem.

“Prezenca e Ambasadës në Jerusalem është kundër ligjit ndërkombëtar, Rezolutës së Këshillit të Sigurimit dhe qëndrimit të Bashkimit Evropian. Kjo shkelje nuk do t’i sjellë dobi progresit të Kosovës drejt njohjes ndërkombëtare dhe anëtarësimit në bashkësinë ndërkombëtare”, citohej të ketë thënë Al-Maliki.

/GazetaSinjali/