Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, tha se është tronditur kur ka parë fëmijët me fotografi të krerëve të shtetit në duar në Kuvendin e Kosovës.
Madje, ajo tha se pamja e tillë i kujtoi fëmijërinë e saj dhe diktaturën.
“Duke pasur parasysh biografinë time, rritjen time në diktaturë në vitet 82-92, për mua një foto e tillë është tronditëse dhe secili që e bart përgjegjësinë për përdorimin e fëmijëve për të bërë foto të tilla, pavarësisht a e ka pasur synimin e keq apo synimin e mirë, do të duhej të mbante përgjegjësi”.
“Unë me aq sa arrita të kuptoj nuk arrita ta dija saktë se kush e mban përgjegjësinë për këtë foto, por një gjë di se në këtë strukturë të institucioneve që kemi, duke nisur nga presidentja, qeveria dhe parlamenti, nuk shoh tendenca të tilla, të cilat do të ishin shumë shqetësuese po të ishin ekzistuese, por sa herë kthej kokën dhe e shoh atë fotografi, e ndiej vetën shumë keq”, tha ajo në televizionin publik.