image "Gënjeshtrat e Kosovës me dokumente", Petkoviq në Bruksel mundohet ta "arsyetojë" sulmin terrorist të 24 shtatorit

Politikë

“Gënjeshtrat e Kosovës me dokumente”, Petkoviq në Bruksel mundohet ta “arsyetojë” sulmin terrorist të 24 shtatorit

news image

Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në qeverinë serbe ka mbajtur sot një takim pune në Bruksel me ambasadorët, përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe përfaqësuesin e Komisionit Europian dhe Shërbimit europian për Politikë të Jashtme.

Siç raportojnë mediat serbe, Petkoviq i ka informuar ata “në detaje” për situatën aktuale politike dhe të sigurisë, duke iu referuar ngjarjeve të fundit në veri të Kosovës dhe rrjedhën e diaologut.

Në deklaratën e lëshuar nga zyra e Petkoviqit, thuhet se gjatë dy orëve e gjysmë prezantimi dhe diskutimi të hapur, Petkoviq u ka përcjellë diplomatëve të pranishëm se “Beogradi i udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiq, po bën gjithçka për ta ruajtur paqen dhe stabilitetin dhe se Serbia në asnjë mënyrë nuk ka dashur dhe as nuk ka marrë pjesë në ngjarjet e fundit tragjike në Banjskë”.

Petkoviq i quajti “dezinformata dhe të pavërteta të shumta”, denoncimet e Kosovës se Serbia është fajtorja kryesore për sulmin e 24 shtatorit.

“Në kuadër të prezantimit, Beogradi ka mohuar gënjeshtrat e Prishtinës me dokumente, foto dhe video të shumta dhe ka paraqitur dëshmi që tregojnë qartë se Prishtina është rrënja e të gjitha problemeve”, thuhet në deklaratën e zyrës së Petkoviqit.

Raportohet se vendet anëtare të Bashkimit Europian janë duke diskutuar mundësinë e ndëshkmimit të Serbisë. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano përsëriti sot thirrjen e Brukselit për Serbinë. BE-ja pret jo vetëm bashkëpunim të plotë, por bashkëpunim të pakushtëzuar nga Serbia për krejt atë çka ndodhi në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

/GazetaSinjali/