Zbulimi i komunikimeve në mes të të arrestuarit për narkotik, Shkodran Pulaj, me gjykatësin e Themelores në Prizren, Artan Sejrani, kanë bërë që ky i fundit të ndërmarrë hapa ligjor.
Gjyqtari Sejrani ka ushtruar kallëzim penal ndaj Njësisë Anti-drogë të Policisë së Kosovës me pretendimet për nxjerrje të informacioneve pas transmetimit të emisionit “Betimi për Drejtësi” më 2 mars.
Ky emision shpërfaqte tendencën e Sejranit për të mohuar se kishte pasur komunikime me Pulajn, për çka nuk e kishte njoftuar kryetaren e gjykatës, Shpresa Emra, kur kishte pranuar për të qenë gjykatës në aktakuzën për narkotik.
Ai aludon se prokurorja e rastit, Ariana Shajkovci, nuk kishte dijeni për provat, anise e njëjta i kishte pjesë së dosjes që po e trajtonte.
“Meqenëse prokurorja e rastit fare nuk ishte në dijeni për këto komunikime – prova, pa dyshim që qasje në dosjen e hetimit kanë pasur hetuesit e rastit të cilët kanë për detyrë të bëjnë selektimin e provave inkriminuese dhe atyre që nuk janë inkriminuese. Po ashtu pa dyshim që qasje në të dhënat që janë nxjerr nga telefonit i të pandehurit Shkodran Pulaj kishin hetuesit e Anti-drogës në Prizren, pra pas ekzaminimit dhe të njëjtit kishin përpiluar një raport për provat që ata kishin vlerësuar si inkriminuese për prokuroren e rastit”, pretendon Serjani.
Me këtë, ai pretendon se hetuesit kanë kryer veprat penale të “keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “zbulimin i fshehtësisë zyrtare”.
Por, derisa Sejrani në deklaratën e dhënë më 13 shkurt mohonte çdo komunikim me Pulajn, tash në kallëzim penal pranon komunikimet.
“Gazetarja: Më fal të lutem shkurt gjyqtar nëse kishit pas kohë shkurtimisht lidhur me bisedat, çfarë komunikime keni pasur në Shkodranin në kohën sa ka qenë në liri.
Gjyqtari Sejrani: Kurrë në jetë hiç.
Gazetarja: Prej ekspertizës së telefonit kanë dalë disa komunikime në Whatsapp me shkrim dhe thirrje telefonike, çfarë komunikime keni pas me të?
Gjyqtari Sejrani: Kurrë në jetë s’kom pas komunikime”.
Por, kur pyetet se pse i ka mohuar komunikimet dhe cili është në realitet qëllimi i kallëzimit penal, Sejrani nuk ka më përgjigje.
“Gazetarja: Zotëri Sejrani, shkurtimisht të lutem. Keni bërë kallëzim penal ndaj Policisë së Kosovës. A mundeni me na tregu pse keni bërë kallëzim penal, a po tentoni me i ik përgjegjësisë që nuk keni tregu që keni pas komunikime me Pulajn?
Heshtje.
Gazetarja: Pse e keni mohu që keni pas komunikime me të dhe në fund doli që keni pas komunikime?
Heshtje.
Kaltrina Beshiri, hulumtuese në IKD, thotë se interesi i publikut është të dijë se si ka pasur mundësi që gjyqtari ka komunikuar me Pulajn.
“Sa për ta sqaruar për publikun se në çfarë situate jemi: Gjyqtari Sejrani ka trajtuar dy raste të të akuzuarit Shkodran Pulaj, edhe pse ka pasur komunikime me të, duke gënjyer publikisht se nuk ka komunikuar me të njëjtin. Kur kanë dalë provat se ka komunikuar, ai ka filluar të merret me atë se kush i ka zbuluar materialet. Për si gjyqtar që është, do të ishte shumë e pritshme që i njëjti të ipte llogari llogari para publikut për këtë situatë që e ka krijuar vet Sejrani dhe jo të gjurmonte se nga ka dalë informacioni, Sot, interes i publikut është të dijë se si ka pas mundësi që gjyqtari Sejrani, që ka komunikuar me Pulajn, ka trajtuar rastet e tij dhe ka gënjyer se nuk ka komunikuar dhe jo gjurmimi i rrjedhjes së informacionit, i cili ka qenë i shpërndarë në shumë institucione”, ka deklaruar Beshiri.
Gjykatësi Sejrani ka kërkuar një varg hapash ndaj hetuesve policorë, përfshirë konfiskimin dhe ekzaminimin e telefonave, me qëllim të argumentimit nëse të njëjtit i kanë pasur provat në telefonat e tyre si dhe nëse kanë pasur komunikime me ekipin e “Betimit për Drejtësi”.
Hapa këta të cilët Prokuroria e Shtetit ende nuk i ka marrë ndaj asnjë gjykatësi, prokurori, polici e qytetari me të cilët Shkodran Pulaj kishte pasur biseda inkriminuese, për të ndërhyrë në punën e drejtësisë.
“4. Sekuestrimin e telefonave të hetuesve policorë- hetuesve të rastit që kanë pasur qasjen në raportin e AKF-së lidhur me ekzaminimin e telefonit të pandehurit Shkodran Pulaj.
5. Pas sekuestrimit të dërgohen në ekzaminim të verifikohen se në këta telefona a ekzistojnë komunikimet e mija me Shkodran Pulaj.
6. Po ashtu, nga ekzaminimet të vërtetohet se hetuesit a kishin komunikime me gazetarët e Betimit për Drejtësi, Lavdim Makshana, Alberta Hashani apo gazetarët e tjerë të këtij portali.
7. Të merren në pyetje hetuesit e anti drogës në Prizren”, janë disa nga hapat që ka kërkuar Sejrani të ndërmerren ndaj kësaj njësie.
Sejrani thotë se provat jo inkriminuese, është dashur të shkatërrohen nga hetuesit, duke pretenduar se ato policët i kanë shpërndarë dhe që gjithë kjo të jetë bërë me qëllim të dobisë pasurore pas ofruar asnjë provë.
“Hetuesit provat jo inkriminuese është dashur t’i veçojnë nga provat e tjera dhe të njëjtat të shkatërrohen. Por hetuesit këto prova jo inkriminuese i kanë ruajtur në telefonat e tyre dhe të njëjtat pa autorizim i kanë shpërndarë apo iu kanë dhënë gazetarëve të portalit “Betimi për Drejtësi” me qëllime të caktuara që të më shkaktojnë dëm mua si dhe të përfitimit të dobisë pasurore për vete ata.”
Hulumtuesi i lartë nga IKD, thotë se është prokurori i shtetit ai që vendos nëse në materialet e dorëzuara nga hetuesi ka pasur elemente inkriminuese apo jo.
Kaltrina Beshiri, hulumtuese në IKD-së thotë se roli i prokurorit në procedurë penale është rol pasiv.
“Realisht duhet ta kuptojmë se roli i Prokurorit të Shtetit në procedurë penale nuk është rol pasiv. Veprimet fillestare hetimore i kryen policia por gjithmonë shef i hetimeve është prokurori i shtetit. Siç edhe e kemi parë nga përgjigja e prokurores së rastit se në rastin konkret në raportin e hetuesit nuk është përfshirë komunikimi i Shkodran Pulaj me gjyqtarin Sejrani. Por ky komunikim është përfshirë në materialin e ekzaminimit të telefonit të të akuzuarit Pulaj që i është dorëzuar prokurores së rastit. Në kësi lloj raste nëse prokurorja vlerëson se hetuesi policor qëllimisht nuk i ka vendosur këta emra në raportin e dorëzuar, duhet të ndërmarrë veprime duke e iniciuar rastin në IPK. Tutje, materiali që i është bashkangjitur raportit informues nga hetuesi nuk mund të mos trajtohet nga Prokurori i shtetit, nëse ai vlerëson si pikërisht në materialin e bashkangjitur ka veprime inkriminuese të personave të caktuar duhet të autorizojë policinë për marrjen e veprimeve hetimore edhe ndaj tyre. Krejt në fund, është prokurori i shtetit ai që vlerëson nëse në një rast të caktuar ka prova inkriminuese apo jo dhe jo policia”.
Prokuroria Themelore në Prizren është përjashtuar nga trajtimi i kallëzimit penal të bërë nga gjyqtari Sejrani.
Kjo prokurori ka njoftuar se tashmë rasti ka kaluar në Prokurorinë Themelore të Gjakovës.
Ndërsa, nga Gjakova nuk kanë treguar se cilit prokuror i ka kaluar dhe cilat veprime janë marrë deri tani.
Derisa, kryeshefi ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj, thotë se kallëzimin penal nuk e kanë pranuar në IPK.
“Ne akoma nuk kemi pranuar kallëzim penal ndaj ndonjë zyrtari nga ana e gjyqtarit në fjalë. Kurdo që e pranojmë sigurisht që do ta analizojmë dhe trajtojmë konform autorizimeve ligjore që ka inspektorati dhe konform autorizimeve që marrim prej prokurorisë përkatëse”, ka deklaruar Hodaj.
Sejrani si duket përmes këtij kallëzimi penal të ushtruar ndaj Policisë së Kosovës duke u thirrur në nxjerrje të informacioneve, riargumenton edhe njëherë tendencën e tij për t’i ikur faktit se kishte pasur komunikime me të akuzuarin Shkodran Pulaj, lëndën e të cilit e ka pasur në sirtar për ta trajtuar si gjykatës.
Hulumtimi i “Betimit për Drejtësi” bëri që kryetarja e gjykatës, Shpresa Emra ta përjashtojë Sejranin nga gjykimin e aktakuzës të ngritur ndaj Pulajt për shitblerjen e narkotikeve.
“Betimit për Drejtësi” së shpejti do të publikoj edhe pjesë e tretë të dosjes së Shkodran Pulajt, duke hedhur dritë mbi përfshirjen e prokurorëve dhe policëve të tjerë, si dhe anën më të errët të tij, dyshimet për dhunim përfshirë një të mitur./BetimipërDrejtësi/