image Gazi lotsjellës në Kuvend/ Ish-deputetit të VV-së i vërtetohet dënimi me 1 vit e 2 muaj burgim me kusht

Drejtësi

Gazi lotsjellës në Kuvend/ Ish-deputetit të VV-së i vërtetohet dënimi me 1 vit e 2 muaj burgim me kusht

news image

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar dënimin prej 1 viti e 2 muaj burgim me kusht, të shqiptuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë ndaj ish-deputetit Driton Çaushi, për akuzat se ka hedhur gaz lotsjellës në Kuvend dhe ka penguar në kryerjen e detyrave zyrtare, kryetarin e Kuvendit dhe deputetët.

Më 12 tetor 2021, Çaushi ishte dënuar me 1 vit burgim me kusht për veprën penale “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, kurse me 3 muaj burgim me kusht për veprën penale “pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”.

Më pas, ndaj tij ishte shqiptuar dënimi unik në kohëzgjatje prej 1 viti e 2 muaj burgim me kusht, në afat verifikimi prej 2 vitesh.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 27 mars 2018 kishte ngritur aktakuzë ndaj Driton Çaushit, me arsyetimin se më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku ka qenë pjesëmarrës i akuzuari, në cilësinë e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, ka hedhur gazin lotsjellës në këtë sallë, me çka ka rënë ndesh me nenin 9.1 të Rregullores nr.04/12 për Armëmbajtje në Republikën e Kosovës, ku ndalohet përdorimi i armëve.

Me këto veprime, thuhet se i njëjti ka kryer veprën penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.

Sipas aktakuzës, Çaushi gjithashtu thuhet se ka kryer edhe veprën penale “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Çaushi në vendin dhe kohën e lartcekur, gjatë përdorimit të gazit lotsjellës ka penguar personat zyrtar-dëshmitarin Kadri Veseli, në cilësinë e kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe dëshmitarët-deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti etj, në kryerjen e detyrave zyrtare, me ç’rast të gjithë personat zyrtarë janë detyruar ta ndërpresin mbledhjen dhe të largohen nga salla.

/GazetaSinjali/