image Gazi lotsjellës në Kuvend, Gjykata merr vendim për dy ish-deputetët

Drejtësi

Gazi lotsjellës në Kuvend, Gjykata merr vendim për dy ish-deputetët

news image

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur fajtor ish-deputetët Haxhi Shala dhe Ismajl Kurteshi, të akuzuar për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, në nëntor të 2015-ës, duke i dënuar me nga një vit burgim me kusht (secilin veç e veç).

Aktgjykimi ndaj Shalës dhe Kurteshit u shpall të premten.

Sipas këtij vendimi, dënimin në fjalë, Kurteshi dhe Shala nuk do ta mbajnë nëse në afat prej dy vitesh nuk kryejnë ndonjë vepër tjetër penale.

Gjykata i obligoi ata edhe me shpenzimet e procedurës secilin veç e veç në shumë prej 50 euro dhe për kompensimin e viktimave të krimit në shumën prej 30 euro, raporton Betimi për Drejtësi.

Ndërsa, lidhur me veprën penale “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” është arritur parashkrimi, andaj për këtë është refuzuar aktakuza konform nenit 363, par.1, nenpar.1.3 të Kodit të Procedurës Penale. Andaj, u refuzua aktakuza për pikën 2 dhe 3.

Ndryshe, ky rast ka qenë duke u gjykuar në Departamentin e Krimeve të Rënda, por më pas lënda ka kaluar për gjykim në Departamentin e Përgjithshëm.

Sipas aktakuzës, Ismajl Kurteshi dhe Haxhi Shala akuzoheshin se më 30 nëntor 2015, rreth orës 11:00, në Sallën e Seancave Plenare në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë, me qëllim të ndërprerjes së punimeve të seancës, kanë hedhur gazin lotsjellës, të cilën e posedonin pa autorizim.

Sipas aktakuzës, derisa Kryetari i Parlamentit ishte duke i njoftuar deputetët me rendin e ditës, të akuzuarit Kurteshi dhe Shala e kishin aktivizuar gazin lotsjellës.

/GazetaSinjali/