Ndeshja mes Kosovës dhe Rumanisë mbrëmë në Bukuresht u përcoll me shumë tensione të mëdha, ku tifozët ultra-nacionalistë shfaqën një pankartë të madhe me shkrimin “Kosova është Serbi”.
Kjo bëri që gjyqtari ta ndërpresë ndeshjen në minutën e 17-të, ku urdhëroi që dy skuadrat të kthehen në zhveshtore, pasi lojtarët dardanë nuk pranuan të zhvillonin ndeshjen në ato kushte dhe nën provokime.
Ndeshja rifilloi pas më shumë se gjysmë ore, pas tërheqjes së pankartës dhe paralajmërimit nga gjyqtari kryesor ndaj skuadrës rumune.
Siç raporton mediumi i njohur spanjoll, ‘El Mundo Deportivo’, Rumania ka gjasa të humbë ndeshjen me rezultatin zyrtar 3:0, bazuar në nenin 14 të Kodit Disiplinor të UEFA-s.
“Nëse jo këtë të mërkurë, atëherë në ditët në vijim UEFA do të hapë një hetim të jashtëzakonshëm për incidentet që ndodhën mbrëmë në ndeshjen Rumani-Kosovë në Bukuresht”, ka shkruar gazeta spanjolle duke paralajmëruar sanksione të rënda për Rumaninë.
Gazeta ka cituar nenin 11 të Kodit Disiplinor të UEFA-s, i cili thotë se “federatat kombëtare janë përgjegjëse për ndërprerjen dhe braktisjen e fushës”.