COVID-19

Të infektuar

145

Të sheruar

23

Të vdekur

3

Greva/ Përplasje në Aeroportin e Prishtinës (Video)

news image

Situata në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, gati ka eskaluar në përleshje fizike, gjatë grevës së punëtorëve.

Konflikti është provokuar nga zëdhënësja e aeroportit, Valentina Gara e cila sipas një video që posedon Sinjali shihet duke larguar  letrën e vendosur të grevistëve përmes së cilës ata njoftonin se gjendeshin në grevë.

Zëdhënësja Gara, e shoqëruar nga trupojat e menaxhmentit, ka  bërë përpjekje të zbatojë vendimin e drejtuesve të ndërmarrjes për t`i zëvendësuar punëtorët të cilët kishin refuzuar t`i kryenin detyrat e tyre të punës. Por, ky veprim është penguar nga grevistët, gjë që ka çuar në ngritje të tensioneve dhe gati në eskalim të situatës.

Në qetësimin e situatës kanë ndërhyrë edhe zyrtarët e policisë së Kosovës.

Për më shumë ndiqni videon e plotë nga kjo ngjarje.

Kujtojmë se punëtorët e aeroportit prej ditësh janë duke protestuar për përmirësimin e kushteve të punës. Sot, ata kanë mbajtur dy orë grevë ndërsa kanë paralajmëruar ashpërsim të masave sindikale.

Punëtorët  po kërkojnë kompensim për rrezikshmërinë në punë, eliminimin e dallimeve në paga, pagesën e përvojës së punës dhe të orëve të punës gjatë vikendeve në pajtim me ligjin e punës.

Sindikalistët janë ankuar se kërkesat e tyre kanë hasur në vesh të shurdhër dhe se menaxhmenti i kësaj ndërmarrjeje nga kompania turke Limak nuk ka pranuar t`i takojë. Në vend të dialogut social, Menaxhmenti i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës ka filluar masat ndëshkuese ndaj punëtorëve. Siç ka raportuar Sinjali, nëntë grevistëve tashmë u është ndaluar hyrja në Aeroport. / Sinjali/


Shpërndaje artikullin