image Gastronomët kundërshtojnë masat, kërkojnë të punojnë me kapacitete të plota

Kosovë

Gastronomët kundërshtojnë masat, kërkojnë të punojnë me kapacitete të plota

news image

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka reaguar pas masave të reja të marra nga Qeveria sot, shkruan Gazeta Sinjali.

Ata përmes një postimi në Facebook kanë shkruar se i kundërshtojnë masat e reja kundër COVID-19. Sipas tyre të njëjtat masa janë marrë edhe nga Qeveria e kaluar kanë rezultuar të pakuptimta dhe joefektive.

“Masat nuk kanë kuptim që të kufizojnë veprimtaritë biznesore, por të stimulojnë vaksinimin e popullatës, si zgjidhja e vetme për daljen nga kjo krizë”, shkruhet në postimin e tyre.

Tutje ata kanë njoftuar se të hënën do të mbajnë mbledhje të jashtëzakonshme për të diskutuar masat e reja të vendosura nga ana e Qeverisë.

“Rrjedhimisht, ftojmë të gjithë anëtarët e SHGK-së, që të marrin pjesë në Mbledhjen e Jashtëzakonshme të Kuvendit, të hënën me dt. 25/10/2021 pranë Hotel Sirius në ora 14:00!”, shkruhet tutje në postim.

Kujtojmë se në masat e reja që kanë hyrë në fuqi sot specifikohet se maska do të vazhdojë që të jetë obligative për qytetarët e vendit.

Kufizimi i qarkullimit të qytetarëve do të jetë nga ora 00:00 deri në ora 05:00.

Edhe pas kësaj mbledhjeje Qeveria vazhdon që të ndalojë veprimtarinë e klubeve të natës si dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, ekskursioneve, pelegrinazheve, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe shoqërore,  në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

/Gazeta Sinjali/