Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka reaguar pas vendimit të PZAP-së për komunën e Dragashit, që votat me postë, të cilat e shpallën LDK-në fituese atje, të mos numërohen.
Gashi i LDK-së ka thënë se Xheladini i LDK-së është kryetar i Dragashit dhe deformimi i vullnetit të qytetarëve është sulm mbi demokracinë.
“PRO vullnetit të qytetarëve dhe KUNDËR çfarëdo tavoline që synon deformimin e vullnetit të tyre. Nga verdikti i qytetarëve të Dragashit, Bexhet Xheladini është kryetar. Në kutitë e votimit është zëri i tyre, andaj nuk ka tavolinë që mund ta shuaj këtë zë, ngaqë është i shenjtë – është besim. Çdo përpjekje për deformim të vullnetit të qytetarëve është sulm mbi demokracinë. Do të shfrytëzojmë të gjitha mjetet ligjore dhe do të trokasim në të gjitha dyert e partnerëve ndërkombëtar që monitorojnë zgjedhjet, në mënyrë që të mos lejojmë assesi përmbysjen e vullnetit të qytetarëve. Mbrojtja e demokracisë është detyra jonë. Dhe do ta mbrojmë gjithsesi”, shkruan Gashi.
Më 14 nëntor PDK e shpalli fitoren në Dragash, por pas numërimit të votave të diasporës, KQZ-ja konfirmoi se LDK-ja ishte ajo që doli fituese.
Pas kësaj, PDK ka dërguar ankesë në PZAP, ku u vendos që këto vota të mos merren parasysh.