Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka reaguar pasi Prokuroria Speciale sot ka dorëzuar aktakuza ndaj presidentit Hashim Thaçi, dhe liderit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.
Gashi përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook ka thënë se Lufta Çlirimtare e UÇK-së është e pastërt dhe e lavdishme.
“Lufta çlirimtare e UÇK-së, për ne është e pastërt dhe e lavdishme!”, ka thënë shkurt ai.
Kujtojmë se, sot Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ngriti aktakuzë në Dhomat e Specializuara të Kosovës kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, si dhe personave të tjerë, emrat e të cilëve Zyra e Prokurorisë nuk i ka publikuar.
Aktakuza prej dhjetë pikësh thotë se ata akuzohen për “krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasje, zhdukje me detyrim, persekutim dhe tortura”.
Aktakuza pretendon se Thaçi, Veseli dhe të dyshuarit e tjerë në aktakuzë janë përgjegjës për afro 100 vrasje./Gazeta Sinjali/