image Gara: Në aeroport nuk ishte KFOR-i, por vetëm policia

Kosovë

Grevë/ Gara: Në aeroport nuk ishte KFOR-i, por vetëm policia

news image

Pas përfundimit të ditës së tretë të grevës së punëtorëve të sindikatës së Pavarur të Punëtorëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, zëdhënësja e aeroportit, Valentina Gara, tha se greva e sotme ka qenë e paralajmëruar, e për shkak të pengesave që janë shkaktuar gjatë ditës së djeshme, ajo tha se sot kanë paraparë që të merren masa shtesë.

Ajo ka mohuar se ka pasur trupa të KFOR-it, përveç të Policisë së Kosovës.

“Kjo nuk qëndron si e vërtetë, prandaj siç e thashë edhe më herët ne kemi njoftuar organet relevante, në këtë rast Policinë e Kosovës, të cilët janë edhe përgjegjës për sigurinë e aeroportit”, tha ajo.

Gjatë ditës së djeshme, nënkryetari i sindikalistëve tha se për shkak të grevës 9 punëtorëve të aeroportit iu është bllokuar hyrja në vendet e tyre të punës. Gara ka mohuar se ka  pasur suspendim.

“Vlen të sqarohet që nuk kemi pasur të bëjmë me suspendim, këtyre nëntë punëtorëve u janë suspenduar vetëm ID Card apo u është suspenduar qasja në zonat e sigurisë, meqenëse ata kanë marrë veprime jo ligjore në ditët paraprake. Kështu që për mos cenimin e sigurisë, ne kemi marrë këto masa, mirëpo ata nuk janë të suspenduar nga puna”, tha ajo.

E derisa është thënë se këta punëtorë po zëvendësohen me punëtorë jo të licencuar dhe jo kompetentë, Gara tha se punën e tyre është duke e vëzhguar MPB, dhe një gjë të tillë duhet ta konkludojë kjo ministri.

E pyetur se çfarë veprimesh do të ndërmarrin karshi kërkesave të punëtorëve grevistë, Gara tha se janë në pritje të veprimeve të tyre të mëtutjeshme dhe se do të veprojnë konform vendimeve që do t’i ndërmarrin ata. E sa i përket anulimeve të fluturimeve ajo tha se ato janë vendosur nga kompanitë ajrore.

“Këto anulime janë paralajmëruar nga nata e mbrëmshme dhe duke pasur parasysh se dita e sotme do të jetë grevë, dhe besoj se edhe udhëtarët janë lajmëruar nga kompanitë ajrore që nga mbrëmë kështu që kompanitë ajrore kanë vendosur mbrëmë t’i anulojnë këto fluturime. Ndërkaq fluturimet tjera të cilat janë paraparë të realizohen sot, janë realizuar sipas planit”, tha ajo.

Ajo ka pohuar që ka pasur parregullsi dhe lëshime gjatë ditës së djeshme në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. “Është e vërtetë se ka pasur lëshime gjatë ditës së djeshme, për shkak të ndërhyrjeve ilegale në sistemet tona, prandaj për të gjitha këto parregullsi apo lëshime janë evituar, prandaj edhe kemi operuar sot normalisht”, ka thënë ajo.

Sipas Garës, greva e djeshme nuk ka qenë në bazë të kornizave ligjore, për çka siç thotë ajo ka pasur edhe pengesa në mbarëvajtje.