Instituti GAP ka publikuar raportin mbi ndikimin e pandemisë Covid-19 në pushtetin lokal, konkretisht në dinamikën e punës dhe buxhetin e të gjitha komunave të Kosovës.
Sipas këtij raporti, gjatë muajit mars dhe prill, të gjitha komunat kanë pësuar rënie të të hyrave komunale prej 45% deri në 90%.
“Gjatë këtyre dy muajve, të gjitha komunat kanë arkëtuar 5.8 milionë euro të hyra, apo rreth 9.3 milionë euro më pak krahasuar me muajt e njëjtë të vitit të kaluar (2019). Komunat do të dalin të dëmtuara në të hyra vetanake veçmas nga kategoria e tatimit në pronë, nga gjobat policore në rrugët lokale, nga vendimet e gjykatave dhe nga shfrytëzimi i hapësirave publike nga ana e gastronomisë. Një pjesë e komunave kanë aprovuar pako ekonomike ku kanë paraparë faljen e shumicës së pagesave që janë planifikuar të bëhen në 2020 nga bizneset. Edhe gjobat në trafik kanë rënë për 90%”, thuhet raport.
GAP-i shton se përveç të hyrave vetanake, komunat nuk do të arrijnë t’i përmbushin as planet e parapara në fushën e investimeve kapitale. Nga hulumtimi i zhvilluar në 16 komuna, ka dalë që janë së paku 124 projekte kapitale që do të shtyhen si pasojë e gjendjes së krijuar nga pandemia COVID-19.
“Kjo gjendje ka ndikuar edhe në rënien e numrit të të punësuarve. Sipas të dhënave të Fondit të Kursimeve Pensionale, në prill 2020 ka më pak kontributpagues nga secila komunë krahasuar me muajin dhjetor 2019”./Gazeta Sinjali/