Komisioni disiplinor i Federatës së Volejbollit të Kosovës ka refuzuar ankesën e Lubotenit.
Këtë për Sinjali Sportiv e konfirmoi edhe sekretari i përgjithshëm i FVK-së, Valon Nikqi.
Klubi nga Ferizaj nuk luajti në ndeshjet e Play-off çka edhe u skualifikua nga garat. Bazuar në nenin 5 të rregullores së brendshme të FVK-së, ekipi duhet të skualifikohet dhe të përjashtohet për një vit garues nga aktivitetet zyrtare kombëtare dhe ndërkombëtare.
Sipas kësaj, refuzimi i ankesës nga FVK- ja u bë me të drejtë, kurse kampioni i sezonit të kaluar, Luboteni tashmë edicionin e ardhshëm do të garojë në Ligën e Parë të Kosovës.
Me kalimin e Lubotenit në Ligën e Parë, tani nga Superliga B do të largohet vetëm ekipi i ranguar në pozitën e fundit dhe jo dy të fundit siç ishte e planifikuar.
Kjo sipas Nikqit mbetet të konfirmohet edhe nga Bordi i FVK-së.
Kujtojmë se dje, ekipi tjetër i këtij qyteti, KV Ferizaj u shpall kampion i Kosovës për herë të parë në histori dhe në sezonin e parë pas inkuadrimit në Superligë duke e mposhtur Prishtina Volley në finale me rezultat të përgjithshëm 2:0 pas dy ndeshjeve./Gazeta Sinjali/