Këtë të enjte është ndarë nga jeta ish-mbrojtësi kampion i Evropës me kombëtaren italiane në vitin 1968, Ernesto Castano.
Mediat italiane raportojnë se për nder të ish-lojtarit të Italisë, Federata Italiane e Futbollit ka kërkuar që në ndeshjet e kësaj fundjave të mbahet një minutë heshtje.
“Është një tjetër humbje e dhimbshme për futbollin italian. Ai kishte meritën e modernizimit të rolit të qendërmbrojtësit dhe ishte protagonisti i Italisë në ’68, që ringjalli pasionin për futbollin në vend dhe për këtë do t’i jemi gjithmonë mirënjohës. Castano Azzurro përgjithmonë“-deklaroi kreu i federatës italiane, Gabriele Gravina.
Në vitin 1958 Castano zbarkoi te Juventusi, me të cilin në 12 sezone fitoi 3 kampionate dhe po aq Kupa Italie, madje duke mbajtur shiritin e kapitenit.
Ai bëri debutimin e tij për ekipin kombëtar në nëntor 1959 kundër Hungarisë (7 paraqitje për Azzurët) dhe mori pjesë në Kampionatin Evropian të vitit 1968, duke luajtur në çerekfinale me Bullgarinë, në gjysmëfinale me Bashkimin Sovjetik dhe në finale me Jugosllavinë.
/GazetaSinjaliSporti/