Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste të grave që përjetojnë dhunë në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, raporton Gazeta Sinjali.
Ndihmën e Policisë e ka kërkuar së fundi një grua në fshatin Grabovc në Fushë Kosovë, e cila ka denoncuar bashkëshortin e saj për dhunë.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se 25-vjeçarja ka raportuar se fillimisht ka pasur një mosmarrëveshje me burrin e saj për shkak të xhelozisë dhe për pasojë ai ka eskaluar në sulm.
Sipas informacioneve të para, i dyshuari e ka goditur viktimën dhe më pas i ka kërkuar që të largohet nga shtëpia.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i njëjti është dërguar në mbajtje si i dyshuar për veprën penale ‘Dhunë në familje’.