image Fushë Kosovë: Gruaja 52-vjeçare raporton se e sulmoi seksualisht familjari i burrit të saj që ishte mysafir - Sinjali

Fushë Kosovë: Gruaja 52-vjeçare raporton se e sulmoi seksualisht familjari i burrit të saj që ishte mysafir

news image

Nuk janë të rralla rastet kur gratë në Kosovë ngacmohen e sulmohen seksualisht qoftë në rrugë apo në ambiente të tjera publike. Për një rast të tillë ka nisur së fundmi hetimet Prokuroria Themelore në Prishtinë. Por këtë herë, ngjarja ka ndodhur mes anëtarëve të një familjeje në Fushë Kosovë, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet brenda Prokurorisë thonë për Sinjalin se ky rast ndodhi dje në fshatin Miradi të Epërme, u denoncua nga një 52-vjeçare, e cila raportoi se është sulmuar seksualisht nga një familjar i bashkëshortit të saj.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur në orët e mbrëmje, derisa ky i fundit ishte mysafir në familjen e viktimës, kur i njëjti e kishte prekur dhe ngacmuar me fjalë, çka e shqetësoi gruan.

Përballë kësaj situate dhe për shkak se kjo dyshohet se nuk është hera e parë që i riu e ka ngacmuar, ajo vendosi ta njoftojë Policinë dhe kërkojë ndihmë.

Me të marrë informacionin, Policia është aktivizuar dhe ka ftuar të dyshuarin për intervistim, ku gjatë dhënies së deklaratës, e ka mohuar që ka pasur ndonjë qëllim për ta ngacmuar seksualisht, edhe pse e ka pohuar se e ka prekur.

Ndaj tij, Prokurori ka marrë vendim që të nisin hetimet për veprën penale “sulm seksual”.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin