Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre dhe anëtarët tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur dje në një familje në Fushë Kosovë, ku një person po dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Sinjali mëson se rasti ka ndodhur në shtëpinë e tyre, pasi gruaja ishte kthyer nga familja e saj ku shkoi për vizitë me fëmijët.
Sipas informacioneve të para, i dyshuari në shenjë revolte që bashkëshortja kishte shkuar te familja pa pëlqimin e tij, ka ushtruar dhunë psikike dhe e ka sulmuar fizikisht.
Përballë kësaj situate, viktima e ka denoncuar rastin në Polici dhe ka marrë trajtim mjekësor.
Si rezultat i raportimit, Policia është aktivizuar dhe i dyshuari është arrestuar e shoqëruar në stacion policor.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.