Zyrtarët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë intensifikuar angazhimin në rrjetet sociale në mbështetje të liderit të tyre.
100% shtet, është motoja e zyrtarëve të AAK-së të cilët kanë intensifikuar fushatën në mbështetje të kreut të kësaj partie për një mandat tjetër në krye të Qeverisë.
Deputetja Donika Kadaj Bujupi ka thënë se kjo parti me liderin e saj ka fuqinë e varrosjes së projekteve armiqësore ndaj Kosovës.
“Kryeministri ka një vullnet të çeliktë që çështjet e interesit nacional t’i trajtojë me seriozitetin më të lartë. Nuk mund të ecim përpara duke toleruar në dëmin tonë, prandaj Kryeministri e Aleanca ballëhapur nga qytetarët do ta kërkojnë edhe një mandat qeverisës, që përfundimisht t’i varrosin projektet armiqësore ndaj Kosovës dhe ta vulososin rrugën e saj të drejtë.”, ka thënë Kadaj Bujupi.
Edhe Burim Ramadani zëvendës ministër në largim i Mbrojtjes nga kjo parti, ka deklaruar se fitorja e Ramushit dhe Aleancës është lehtësim për të tjerët. Sepse, fiton qëndrueshmëria dhe koncepti 100 % shtet.
“Në temat e mëdha shtetërore nuk do të ketë asnjëlloj zbehje a lëkundje, ndërsa fokusi do të jetë në modernizimin e institucioneve dhe zhvillimin e brendshëm. Kur temat e mëdha përballohen me vendosmëri, institucionet dhe shoqëria e ka më të mundshme fokusimin në zhvillim.”, ka thënë Ramadani në rrjetin e tij social. /Sinjali/