Furnizimi me uniforma vazhdon të jetë thuajse i pamundur për zyrtarët policorë të Kosovës
Sinjali.com
20 Korrik 2026 10:54
Ndër vite të njëjtit kanë problemin e njëjtë, të mungesës së unfiromave.
Madje mbi këtë problem pati edhe raportime disa herë radhazi, ku zyrtarët policorë kanë çizme të vjetruara, këmisha krejtësisht të vjetruara e uniforma të pandërruara ndër vite, raporton EO
Prej më shumë se dy vjetësh problem vazhdon të jetë edhe çështja e tenderimit. Policët vazhdojnë të përballen me mungesë të uniformave standarde si dhe solemne, pasi tenderi milionësh për furnizimin e tyre është zvarritur mes ankesave, pezullimeve dhe rivlerësimeve të njëpasnjëshme.
Këto uniforma të cilat janë dhënë shumë kohë më parë për zyrtarët policorë, tashmë janë dëmtuar pasi janë pjesë e përditshme e tyre gjatë orarit të punës, por që shteti nuk po iu siguron ato.
E tani mësohet se Policia e Kosovës ka anuluar sërish aktivitetin e prokurimit për furnizim me uniforma standarde dhe solemne që është hapur nga viti 2023 dhe ende nuk është bërë një zgjidhje.
Përmes publikimit në ueb-faqen e E-prokurimit, tenderi me vlerë të paraparë prej 11 milionë e 351 mijë e 852 euro, është anuluar për pjesën 1 dhe 2 me arsyetimin se mungojnë oferta të përgjegjshme.
“Policia e Kosovës anulon aktivitetin e prokurimit për Pjesën 1 dhe Pjesën 2 në mungesë të një oferte të përgjegjshme”, thuhet në dokument.
Policia e Kosovës më 27 shtator të vitit 2023 kishte publikuar njoftimin për kontratë për dy lote të furnizimit me uniforma standarde por edhe solemne për këtë institucion.
Në dokumentin e publikuar në e-Prokurim, Policia e Kosovës ka vendosur edhe specifikat për këtë tender duke treguar në detaje se si duhet të duken uniformat policore.
Vetëm pak ditë pas hapjes së tenderit nisën edhe kërkesat dhe ankesat e para në Policinë e Kosovës për specifikat, me ç’rast kompanitë që ia mësynë këtij tenderi milionësh kërkuan sqarime nga PK-ja.
Më 17 tetor 2023, Policia e Kosovës u përgjigj në disa prej çështjeve që kishin ngritur kompanitë e interesuara, ndërsa më 06.11.2023, i njëjti institucion mori vendim që të aprovoj disa kërkesa të kompanive të interesuara.
I njëjti institucion aprovoi kërkesat për korrigjim të dosjes së tenderit si dhe vazhdim të afatit për ofertim.
Më 07.11.2023, Policia e Kosovës mori vendim që t’ia refuzoj kërkesën një biznesi individual, ndërsa vetëm pak ditë më vonë, më saktësisht më 21.11.2023, vendosi që të pezullojë aktivitetin e prokurimit për furnizim me uniforma pas kërkesave për rishqyrtim.
Dy ditë më vonë, më 23.11.2023, Policia e Kosovës mori vendim që të refuzojë si të palejueshme kërkesën për rishqyrtim të cilën e kishte paraqitur grupi i kompanive “Malbertex ShPK, Premium beton ShPK, Demos ShPK, Mburoya ShPK dhe Levelmax ShPK”. Ky grup i kompanive i kishte parashtruar dy kërkesa e që Policia e Kosovës i kishte konsideruar të jashtë-afatshme.
Sërish një vendim tjetër i Policisë së Kosovës për pezullim të këtij aktiviteti për blerjen e uniformave policore u regjistrua më 27.12.2023.
Kjo për faktin se dy kompani ushtruan ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
Më 26.12.2023, PK-ja pranoi 12 oferta nga kompani të ndryshme në lidhje me tenderin për uniforma policore standarde dhe solemne.
Nga 12 ofertat, disa ishin për uniforma standarde e disa të tjera për uniforma solemne, meqenëse tenderi ishte me dy lote.
Grupi i kompanive “Eco Clean corporation ShPK, Beijing Yiduchuan clothing group company” ofertuan për furnizim me uniformë standarde çmimin prej 8 milionë e 151 mijë eurove.
E i njëjti grup për uniforma solemne dhe të nderit ofertoi çmimin prej 91 mijë e 85 euro.
Kompania “Phantom solution ShPK” ofertoi çmimin e tij për uniforma standarde në vlerë prej 12 milionë e 229 mijë eurove.
Një grup tjetër kompanish, “Sabit Mjekiqi B.I, Genc Taahhut Giyim tekstil insaat san vetic ldt sti vkn” ofertuan çmimin për uniforma standarde në vlerë të 9 milionë e 280 mijë eurove.
Grupi i kompanive “Empreus ShPK, Seyntex dhe Boulevard ShPK” ofertuan për uniforma standarde çmimin prej 10 milionë e 640 mijë euro, ndërsa për uniforma solemne 99 mijë e 664 euro.
Një tjetër grup i kompanive që ofruan çmimin e tyre për tenderin e uniformave ishin edhe “Poligoni i shenjëtarisë ‘Katana’, Senel Konfeksiiyon Tekstil Taahhut san vedis tic ltd sti, Infoglobal BV”. Ky grup i operatorëve ofertuan 8 milionë e 986 mijë e 627 euro për uniforma standarde.
Grupi tjetër- i teti me radhë- ishte ai i përbërë nga “N.Sh.T. Neramed, Matei Conf Grup S.R.L, Divers Consulting Grup SRL”, me 9 milionë e 944 mijë euro për uniforma standarde.
10 milionë e 389 mijë e 840 euro ofertoi grupi “DE Kosova Tekstil L.L.C, D&E shpk dhe Kimay srl” për uniforma standarde.
E njëjta përbërje e kompanive ofertoi edhe për uniforma solemne, vlera e së cilës ishte 99 mijë e 446 euro.
Grupi “Mbyroya, Taktik tekstil sanayi L.S” për uniforma standarde ofertoi 9 milionë e 203 mijë euro ndërsa për ato solemne 154 mijë e 195 euro.
Nga hapja e ofertave e deri te vendimi i radhës kaluan gati tre muaj.
Më 22.03.2024, Policia e Kosovës kishte njoftuar se për arsye objektive projekti për furnizim me uniforma nuk ishte finalizuar andaj edhe kishte kërkuar që të zgjatej validiteti i ofertave për një periudhë 90 ditore.
Më 8 prill 2024, ky institucion vendos që të refuzoj kërkesën për rishqyrtim të parashtruar nga Operatori ekonomik “Sabit Makiqi B.I”, kërkesë kjo e parashtruar më 29.03.2024.
Ky operator ekonomik ishte ankuar se Policia e Kosovës ka shkelur disa nene të Ligjit për Prokurimin Publik, ndërsa institucioni ishte përgjigjur se nuk është arritur që të dëshmohet shkelja e tyre.
Më 8 prill 2024 edhe një vendim i Policisë së Kosovës ishte marrë për kompaninë “DE Kosova Tekstil L.L.C”, që e kishte parashtruar ankesën më 02.04.2024.
Në vendimin e Policisë ishin përmendur disa çështje për kompaninë që ishte ankuar e që disa prej tyre janë, që nuk ka a-test të akredituar për disa parametra të kërkuara për uniformat.
“Kemi kontaktuar laboratorin me datë 29.01.2024 ku kemi pyetur lidhur me a-testet e kryera në tre laboratorë. Kanë pranuar që kanë kryer të gjitha a-testet duke përfshirë edhe dy a-teste të cilave ju mungon llogo e akreditimit. AK (Policia e Kosovës) e ka kontaktuar trupin akreditues më 31 janar 2024 dhe kanë kthyer përgjigje me datë 1 shkurt 2024 ku përgjigjet që për këto dy ateste nuk janë lëshuar ndër Accerdia certifikata”- kishte njoftuar Policia atëherë.
A-testet për uniforma janë testime teknike dhe laboratorike që bëhen për të vërtetuar cilësinë, sigurinë dhe përputhshmërinë e materialeve të përdorura me specifikimet e kërkuara në një tender apo standard zyrtar.
Tutje në po të njëjtin vendim thuhet se është kontaktuar ‘Laboratori Best SRL’ në Itali dhe të njëjtit nuk kishin pranuar se posedonin akreditim për të bërë A-testin për një specifikë të uniformave.
E për këtë çështje Policia e Kosovës ka njoftuar kompaninë se eliminohet për pjesën e parë dhe të dytën dhe se nuk i janë hapur mostrat.
Policia e Kosovës më 26.03.2024 kishte rekomanduar një grup të operatorëve për furnizimin me uniforma, atë “Empreus SHPK, Seyntex, Boulevard Shpk”.
Më 02.04.2024, kompania “DE Kosova Tekstil” L.L.C” kishte parashtruar kërkesë për shqyrtim të cilin Policia e Kosovës e kishte refuzuar.
E me 16 prill 2024, e njëjta kompani ishte ankuar edhe në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
Kompania “DE Kosova Tekstil L.L.C” ishte ankuar se kishte kërkuar rishqyrtim të rekomandimit për dhënie të tenderit por që një gjë të tillë e kishte refuzuar Policia e Kosovës.
“Autoriteti Kontraktues më shumë ka tentuar të na bindë ne se jemi të papërgjegjshëm duke pretenduar se kemi mungesa të dokumentacionit të cilat po të shihen në dokumente të ofertës të gjitha janë të dorëzuara”- thuhet në ankesën e kompanisë.
Kompania ishte ankuar edhe për kompaninë që ishte rekomanduar për kontratë duke pretenduar se do të duhej të shpallej e papërgjegjshme duke nisur nga oferta e saj që ishte më e shtrenjtë, por edhe për dokumentacionin që kishte dorëzuar, raporton lajmi.net.
Më 15.05.2024, ekspertja shqyrtuese në OSHP, Agnesë Ibrahimi dhe eksperti teknik Zeni Ballazhi, rekomandojnë që të aprovohet pjesërisht ankesa e kompanisë “DE Kosova Tekstil L.L.C”, të anulohet njoftimi për dhënie të kontratës dhe rekomandon që ky aktivitet i prokurimit duhet të anulohet.
Me 19.08.2024, Policia e Kosovës merr vendim në bazë të rekomandimit të OSHP-së që të anulohet dhënia e tenderit për kompaninë “EmpreusSh.P.K, Seyntex dhe Boulevard Sh.P.L”.
Vetëm tri ditë më vonë, më 22.08.2024, Policia e Kosovës njofton kompanitë pjesëmarrëse në furnizimin me uniforma policore që aktiviteti rikthehet në ri-vlerësim në bazë të vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.
Më 03.12.2024 dhe më 11.03.2025, Policia e Kosovës njofton me kërkesë për zgjatje të validitetit të ofertës dhe sigurimit të tenderit.
Me 19.03.2025, institucioni i sigurisë sërish njofton për pezullim të aktivitetit për shkak të kërkesës për rishqyrtim nga operatori ekonomik “DE Kosova Tekstil L.L.C, D&E Shpk dhe Kimay SRL” si dhe kompanisë “Empreus”.
Të dy këto operatorë ekonomikë si palë të pakënaqura kanë parashtruar kërkesë për rishqyrtim te Policia e Kosovës kundër njoftimit mbi vendimin e anulimit për aktivitetin e prokurimit për uniformat policore më saktësisht vendimin për ri-vlerësim.
Policia e Kosovës kishte marrë vendim që të refuzoj kërkesën për rishqyrtim të grupit të operatorëve ekonomik “DE Kosova Tekstil, D&E ShPK dhe Kimay SRL” duke pretenduar se OE nuk ka ofruar të dhëna të sakta pse janë shkelur nenet e përmendura në ankesë. I njëjti është thënë se duhet të ketë a-testet nga një laborator i certifikuar si dhe a-testet e dorëzuara nga laboratorët nuk kanë qenë të akredituar me të gjitha fushëveprimet që kërkon Policia e Kosovës.
Problemet e vazhdueshme të këtij tenderi, vazhdojnë t’i lënë zyrtarët policorë pa uniforma të reja teksa janë vazhdimisht në krye të sigurisë publike.