image FSK-ja dhe Policia kryesojnë listën e institucioneve më të besuara në Kosovë

Siguri

FSK-ja dhe Policia kryesojnë listën e institucioneve më të besuara në Kosovë

news image

Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Policia e Kosovës vazhdojnë të mbeten institucionet që gëzojnë besimin më të madh të qytetarëve, sipas rezultateve të Anketës Rajonale WeBalkans 2026.

Të dhënat e publikuara tregojnë se 87.4 për qind e qytetarëve kanë shprehur besim në FSK-në, ndërsa 85.6 për qind në Policinë e Kosovës, duke i renditur këto institucione në krye të listës për nivelin e besueshmërisë publike.

Policia e Kosovës e cilësoi këtë vlerësim si një tregues të qartë të profesionalizmit dhe përkushtimit të zyrtarëve të saj në garantimin e rendit, sigurisë dhe sundimit të ligjit. Sipas institucionit, besimi i qytetarëve mbetet baza e punës policore dhe një element kyç në forcimin e bashkëpunimit me komunitetin.

Anketa evidenton gjithashtu se qytetarët e Kosovës vazhdojnë të konsiderojnë sigurinë, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit si ndër prioritetet më të rëndësishme për zhvillimin e vendit.

Në reagimin e saj, Policia e Kosovës ritheksoi angazhimin për luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit dhe veprave të tjera penale, duke premtuar vazhdimin e investimeve në kapacitetet profesionale, transparencën dhe bashkëpunimin me partnerët vendorë e ndërkombëtarë.

Institucioni shprehu mirënjohje për mbështetjen e qytetarëve, duke theksuar se do të vazhdojë të punojë me integritet dhe profesionalizëm në shërbim të sigurisë publike.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/