image FSK ende pa staf profesional vetanak që do të përgatiste ushqimin

Kosovë

FSK ende pa staf profesional vetanak që do të përgatiste ushqimin

news image

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) po vazhdon të furnizohet me ushqim përmes kontratave aktive të Autoritetit Qendror të Prokurimit (AQP). Pra, ende s’ka staf të rekrutuar profesional të kuzhinierëve dhe stafit mbështetës në FSK. Por, merret vesh se konkursi tashmë është mbyllur, ndërsa procedurat e tij pritet të përfundojnë brenda 45 ditësh.

Ende nuk është përzgjedhur stafi profesional vetanak që do të përgatiste ushqim për pjesëtarët e FSK-së. Por, merret vesh se tashmë është mbyllur konkursi, procedurat e të cilit parashihet të mbyllen brenda 45 ditësh.

“Nuk ekziston asnjë kontratë me operatorë ekonomikë për çështje të ushqimit që është e lidhur direkt me Ministrinë e Mbrojtjes si Autoritet Kontraktues. Është bërë e ditur disa herë se Ministria e Mbrojtjes është duke shfrytëzuar kontratat aktive të AQP-së deri në rekrutimin e stafit profesional të kuzhinierëve dhe stafit mbështetës, për pranimin e te cilëve veçse është mbyllur konkursi”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes, për RTK.

E për “Sfidat e prokurimit për ushqimin e FSK-së”, Iniciativa për Progres (INPO) ka dalë me një raport.

INPO thotë se në raport është shqyrtuar ligjshmëria dhe efektiviteti i procedurave të ndjekura nga Ministria e Mbrojtjes gjatë viteve 2018-2024.

Sipas kësaj analize, janë nxjerrë në pah mungesa e transparencës, përdorimi i shpeshtë i procedurave të negocimit pa publikim të njoftimit për kontratë, trajtimi jo i barabartë i operatorëve ekonomikë e probleme të tjera.

“Operatori ekonomik i rekomanduar për kontratë nga ana e Ministrisë mbrojtjes ka qenë i papërgjegjshëm dhe në bazë të vendimeve të OSHP-së pasi që nuk e ka plotësuar një nga kriteret e parapara në dosje të tenderit. Kjo kontratë ka përfunduar në vitin 2023 dhe pamundësitë e Ministrisë së Mbrojtjes për të arritur një kontratë tjetër të rregullt kanë obliguar Ministrinë e Mbrojtjes që në emër të situatës emergjente t’i nënshkruaj edhe tre kontrata të tjera me anë të procedurë së negociuar me operatorin ekonomik, i cili veçse e ka pasur kontratën paraprake”, deklaron Arbër Kabashi, zyrtar monitorues në INPO.

Sipas analizës së INPO-s, një nga çështjet kryesore të identifikuara në këtë hulumtim është dhënia e kontratës për operatorin ekonomik të papërgjegjshëm dhe mosndërmarrja e masave të duhura ligjore ndaj dokumentacioneve të dyshimta.

“Ne kemi rekomanduar për Ministrinë e Mbrojtjes që në të ardhmen të ketë kujdes në hartimin e specifikimeve teknike në mënyrë që probleme të cila që çojnë deri te mos kontraktimi i një kontrate të mos ketë”, shton Kabashi.

Po ashtu, sipas analizës së INPO-s, përdorimi i situatave emergjente ka krijuar një mjedis që cenon konkurrencën e drejtë dhe favorizon operatorë të caktuar.

/GazetaSinjali/