Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), në bashkëpunim me ekipin CMSE të Ushtrisë Amerikane dhe Komunën e Drenasit, kanë realizuar një ushtrim të përbashkët në tavolinë (Tabletop Exercise – TTX), me fokus në menaxhimin e situatave emergjente dhe forcimin e koordinimit ndërinstitucional.
Ushtrimi u zhvillua në Drenas dhe përfshiu përfaqësues të institucioneve lokale dhe qendrore, të cilët simuluan një skenar përballjeje me vërshime në territorin e komunës.
Sipas njoftimit të FSK-së, gjatë aktivitetit u testuan mekanizmat e komunikimit, proceset e vendimmarrjes dhe menaxhimi i burimeve në kushte krize. Pjesëtarët e forcës prezantuan gjithashtu praktikat më të mira në reagimin ndaj emergjencave dhe koordinimin në terren.
Ky ushtrim u vlerësua si një mundësi për të identifikuar sfidat në reagimin institucional, për të rritur gatishmërinë dhe për të forcuar bashkëpunimin mes institucioneve vendore dhe partnereve ndërkombëtare.
Autoritetet theksuan se aktivitete të tilla kontribuojnë në ngritjen e kapaciteteve për reagim më të shpejtë dhe më efikas në situata krize.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!