Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka ndërhyrë në fshatin Sverkë të Pejës për të ndihmuar në menaxhimin e zjarrit të madh që ka përfshirë deponinë e mbeturinave në këtë zonë.
Pas kërkesës së pranuar nga Qendra e Situatave e Sekretariatit të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, strukturat përgjegjëse kanë bërë vlerësimin e situatës dhe kanë aktivizuar kapacitetet për reagim emergjent.
Me urdhër të komandantit të FSK-së, janë angazhuar njësitë e specializuara të Gardës Kombëtare, të cilat kanë dalë në terren për të ndihmuar në izolimin e zjarrit dhe zvogëlimin e rrezikut për përhapje të mëtejshme.
Sipas FSK-së, ndërhyrja synon edhe parandalimin e pasojave të mundshme për mjedisin dhe shëndetin e banorëve, për shkak të tymit dhe ndotjes së shkaktuar nga zjarri.
Njësitë e FSK-së po bashkëpunojnë me institucionet lokale, shërbimet emergjente dhe banorët e zonës, me qëllim normalizimin sa më të shpejtë të situatës.
FSK ka theksuar se mbetet e gatshme të ofrojë mbështetje për qytetarët në raste emergjente, në përputhje me misionin dhe detyrat e saj.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!